Kosovë: Licencohen 29 institucione private për të kryer testime për COVID-19

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se ka licencuar 29 institucione shëndetësore private, për të kryer testime për koronavirusin e ri.

Marketing

“Prej 29 ISHP të licencuara, 27 do të aplikojnë testime serologjike, ndërsa 2 të tjera do të kryejnë testime molekulare (RT- PCR)”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Dy laboratorët që janë licencuar për të kryer testime me metodën PCR janë: Laboratori Mjekësor i Mikrobiologjisë Klinike dhe laborator Mjekësor Biokimik-Hematologjik “Medical & Laboratory Services Sh.P.K “ – Prishtinë dhe Laborator Mjekësor i Mikrobiologjisë Klinike “ UBT “ – Lipjan.

Testet serologjike janë ato teste në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin dhe bëhet përmes mostrave të gjakut. Ndërkaq, testi PCR përcakton nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.

Deri tani në Kosovë teste për COVID-19 ka kryer vetëm IKSHPK-ja, derisa më 17 korrik kanë filluar të bëhen teste serologjike edhe në sektorin primar shëndetësor, në Qendrat e Mjekësisë Familjare, që janë kompetencë e Komunës së Prishtinës.

Që nga paraqitja e rasteve të para më koronavirus në Kosovë më 13 mars, Kosova është vlerësuar se ka bërë pak teste për COVID-19.

Marketing