Kosovë/ Qeveria prezanton paketën e rimëkëmbjes ekonomike

Ministri në detyrë i Financave dhe Tranfereve i Kosovës, Besnik Bislimi, ka paraqitur sot paketën e rimëkëmbjes ekonomike, e cila, siç ka thënë ai, për ekonominë do të ketë ndikim prej mbi 1.2 miliard euro, për pesë vitet e ardhshme.

Marketing

Sipas tij, paketa është përgatitur nga një grup punues i përbërë nga përfaqësues të zyrës së kryeministrit dhe të ministrive relevante, Bankës Qendore të Kosovës, Fondit kosovar për garantimin e kredive, komunitetit të biznesit dhe ekspertë të jashtëm.

“Paketa ka një ndikim të përgjthshëm në ekonomi në masën e 1.26 miliard euro, me periudhë plasimi në ekonomi prej 24 muaj, kurse me shtrirje të kostos në pesë vitet në vijim”, tha Bislimi.

Fokusi, sipas tij, do të jetë mbështetja me kredi për gjitha bizneset që kanë hasur në vështirësi të funksionimit gjatë pandemisë së koroanvirusit.

Ndër masat tjera, janë edhe ndarja e mjeteve për uljen e varfërisë, sistemin arsimor, ruajtjes së stabilitetit fiskal, formalizimin e punësimit, e të tjera.

Ministri në detyrë, Bislimi, ka theksuar se Qeveria e Kosovës fillimisht kishte përgatitur paketën e parë, e cila është quajtur emergjente fiskale, dy javë pas fillimit të masave kufizuese për shkak të pandemisë së koronavirusit. Zbatimi i kësaj pakoje e cila kap vlerën prej rreth 180 milionë euro, tashmë ka filluar.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një raport të publikuar së voni, ka paralajmëruar se situata më shqetësuese pritet të jetë në tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim, ku bën pjesë edhe Kosova.

Banka Botërore në raportin e saj të fundit të publikuar më 29 mars parasheh një rënie ekonomike prej 4,5 për qind në Kosovë nëse masat kufizuese do të mund të hiqen deri në fund të qershorit.