Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli njoftoi gjatë një konference për mediet të mbajtur në hollin e Kuvendit pas dështimit të mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme, se ajo do t’i vazhdojë punimet të mërkurën në orën 14:00. Ai theksoi gjithashtu se, mospjesëmarrja e deputetëve të opozitës në seancën e sotme ka dëmtuar shtetin e Kosovës.

Seanca e jashtëzakonshme e thirrur këtë të martë me kërkesë të qeverisë nuk është zhvilluar, edhe pse u shty tre herë nga mëngjesi deri pasdite. Edhe ata pak deputetë që pritën për mbi një orë në sallën e Kuvendit të Kosovës u larguan, pasi punimet e parashikuara për të filluar në orën 18:30 nuk nisën.