Kostadinov nga Kuvendi me fotografi të Gruevskit: Derisa nuk hiqni dorë nga ky njeri asnjëherë nuk mund të vini në Qeveri

Në Kuvend sot po debatohet për emërimin e ministrave të rinjë në Qeveri, por debati sa shkon e bëhet më i nxehtë duke hedhur akuza sikur nga pozita ashtu edhe nga opozita.

Marketing

Mes deputetëve që morën fjalën ishte edhe ai i LSDM-së Kostadin Kostadinov i cili u bëri thirje kolegëve të tij nga VMRO që të heqin dorë nga Nikolla Gruevski për të cilin thotë se ai po i drejton dhe udhëzon ende funksionarët e VMRO-së në Maqedoni të Veriut.

Kostadinov madje publikoi një fotografi nga arrestimi i sotëm i Gruevskit në Hungari ku shihet me një kapelë dhe syze.

Kostadinov deklaroi se derisa nuk heqin dorë nga Gruevski, asnjëherë nuk do të arrijnë në pushtet.

“U është mbushur goja me vrerë. Opozita duhet të jetë kritikuese por duhet dhe të ofrojë zgjidhje. As nuk kam parë as nuk kam dëgjuar ofertë, kështu nuk arrihet në Qeveri. Derisa nuk hiqni dorë nga ky njeri me pranga, kapelë dhe syze dielli në Gjykatë në Budapest, derisa nuk heqni dorë nga ky njeri i cili u jep udhëzime si të veproni, përmes gojës dhe syve të tij që quhen Hristijan Mickoski, nuk do të vini në Qeveri”, tha Kostadinov.

Më tej Kostadinov shtoi se qytetarët nuk duan pushtet i cili do të jetë kryeredaktor i lajmeve, polic në MPB, gjykatës suprem, do të montojë procese gjyqësore.

Më pas reaguan ashpër deputetët e VMRO-së duke thënë që t’i lënë këto “përralla” dhe le të ikin nga Qeveria.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të Parlamentit Talat Xhaferi i cili u bëri apel deputetëve që të fokusohen në atë se për çfarë po diskutohet. Kuvendi po debaton për zgjedhjen e ministrave të ri me propozim të kryeministrit Zaev.