Koston e luftës së brendshme në Siri e paguajnë fëmijët

Miliona fëmijë në Siri janë zhvendosur si pasojë e luftës së brendshme dhe më shumë se 29 mijë janë vrarë kryesisht nga regjimi i Bashar al Asadit dhe mbështetësit e tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Kombet e Bashkuara (OKB) me “Ditën e ndërkombëtare të fëmijëve të pafajshëm viktima të konflikteve” të cilën e shënon çdo vit më 4 qershor me qëllim për të sjellë në vëmendje angazhimin e saj për të drejtat e fëmijëve, ka rikujtuar edhe njëherë se fëmijët janë ata të cilët paguajnë koston e luftës së brendshme në Siri.

Miliona fëmijë të moshës shkollore zgjohen në mëngjes me zërat e armëve, bombave, të avionëve dhe nën uri dhe varfëri në Sirinë ku lufta civile vazhdon që prej viti 2011.

Sipas të dhënave të OKB-së, për shkak të luftës së brendshme nga vendi i tyre janë larguar 6.7 milionë sirianë prej të cilëve 2.5 milionë prej tyre janë fëmijë.

Sipas të dhënave që AA-ja ka përpiluar nga të dhënat e Komisionerit të lartë të OKB-së për refugjatët dhe Grupit të Koordinimit dhe Reagimit në Siri i cili kryen punime lidhur me të dhënat e migracionit, mësohet se përgjatë luftës së brendshme në Siri janë zhvendosur 7-8 milionë njerëz shumica e të cilëve janë fëmijë.

Sipas raporteve të Fondit të Emergjencës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), një nga tre fëmijë në Siri nuk marrin arsim dhe se shumica e tyre vazhdojnë jetën në mënyrë të privuar nga mundësitë e nevojshme shëndetësore.

Në raportin e publikuar nga UNICEF më 13 mars, theksohet se 575 mijë fëmijë migruan dhe mbetën pa shtëpi vetëm në sulmet e ndërmarra nga regjimi i Bashar al Asadit dhe mbështetësit e tij në rajonin e deskalimit Idlib në Siri në periudhën 1 dhjetor 2019 – 5 mars 2020.

– Kanë humbur jetën mbi 29 mijë fëmijë

Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) dhe AA që kanë dokumentuar shkeljet e të drejtave kundër civilëve, kanë përgatitur një raport special me temë fëmijët që ka viktimizuar lufta.

Sipas raportit, që nga marsi 2011 e deri më tani në Siri janë vrarë nga palët e kofliktuara të paktën 29.296 fëmijë, dhe shumë të tjerë janë plagosur dhe kanë mbetur me aftësi të kufizuara fizike.

Forcat e regjimit të përbërë nga ushtria e regjimit dhe grupet e huaja terroriste me mbështetje iraniane, kanë vrarë 22.853 prej këtyre fëmijëve. Ndërsa 2.005 fëmijë kanë humbur jetën në sulmet ajrore të Rusisë e cila siguron mbështetje për forcat e regjimit.

Po ashtu organizata terroriste YPG/PKK e cila përdor emrin SDG në Siri ka masakruar 223 fëmijë dhe organizata terroriste DEASH 956 fëmijë.

Në konflikte, opozitarët ushtarakë dhe grupet e armatosura kundër regjimit kanë vrarë gjithsej 1.053 fëmijë, ndërkohë që koalicioni ndërkombëtar kundër DEASH-it ka shkaktuar vdekjen e 924 fëmijëve. Gjithashtu 1.282 fëmijë janë vrarë nga palë të paidentifikuara.

– Nga armët kimike të regjimit kanë humbur jetën 205 fëmijë

Në raport thuhet se regjimi i Asadit që nga marsi 2011 e deri më tani ka kryer 217 sulme me armë kimike. Në këto sulme kanë humbur jetën 205 fëmijë.

Më tej informohet gjithashtu se regjimi i Asadit nga fëmijët e arrestuar ka vrarë duke torturuar 173 fëmijë.

– Rreth 5 mijë fëmijë ende të arrestuar

Sipas informacioneve në raport bëhet e ditur se nga dhjetëra mijëra fëmijë të arrestuar që nga fillimi i luftës së brendshme e deri më tani në Siri, mbahen ende të burgosur nga grupet në konflikt të paktën 4.816 fëmijë.

Nëpër burgjet e regjimit ndodhen 3.561 fëmijë dhe nga organizata terroriste YPG/PKK mbahen të burgosur 602 fëmijë.

Ndërsa organizata terroriste DEASH e cila ka prani në një territor shumë të vogël në Siri mban të burgosur aktualisht 319 fëmijë.

Opozitarët ushtarakë dhe grupet e armatosura kundër regjimit vazhdojnë të mbajnë të arrestuar 334 fëmijë.

– Rreth 1 milion fëmijë kanë mbetur jetimë

Në raportin e publikuar më 8 maj nga Qendra për Kërkime humanitare dhe sociale të IHH (İNSAMER) me temë “Raporti për jetimët 2020” njoftohet se për shkak të luftës së brendshme në Siri ndodhen më shumë se 9 milionë fëmijë të moshën nën 18 vjeç që kanë nevojë për ndihmë.

Në raport thuhet “Për shkak të zhvendosjeve të vazhdueshme numri i vërtetë lidhur me jetimët sirianë nuk dihet, por parashikohet se në vend kanë mbetur jetimë/pa njeri rreth 1 milion fëmijë”.