Kosturnik, përurohet objekti i ri i shkollës periferike

Në fshatin Kosturnik të komunës së Kumanovës, sot u bë përurimi i objektit të ri të Shkollës Fillore “Braqa Ribar”.
Objekti i lartpërmendur u ndërtua falë kontributit të vetë banorëve të fshatit, pasi, siç thanë ata, pas shumë përpjekjeve dhe kërkesave për t’u dalë në ndihmë, si Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por edhe komuna e Kumanovës, as njëra e as tjetra nuk kontribuon në ndërtimin e objektit shkollor.

Marketing

Nga bashkësia lokale e fshatit Kosturnik falënderuan të gjithë ata donatorë për ndërtimin e këtij tempulli të diturisë.

“Jam sot para jush që t’ju njoftoj me një ëndërr të kamotshme për ndërtimin e një shkolle në këtë fshat, ja që sot i erdhi koha dhe gjithçka u bë realitet. Sot, më 21 janar 2019, këtu ka lulëzuar një lule e cila nuk do vyshket kurrë”,- tha mes tjerash Qahil Qahili nga Bashkësia lokale – Kosturnik.

“Ëndrra gjysmëshekullore e banorëve të fshatit Kosturnik, të cilët dhanë shumë mund, ishin këmbëngulës dhe me vetkontribut për të pasur shkollën në fshat, ndërsa fëmijët e tyre të ndjekin mësime në gjuhën amtare, sot u bë realitet”,- u shpreh arsimtari i parë në këtë fshat, Fehmi Xhaferi.

Por, më të gëzuar për kushtet e krijuara për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor padyshim se ishin vetë nxënësit të cilët me kënaqësi ishin ulur në bankat e reja shkollore.

“Shumë na pëlqen shkolla e re, sepse këtu i kemi kushtet e mira, na pëlqejnë bankat, karriget, dritaret, tani kemi edhe ngrohje qendrore”,- theksoi nxënësi i Sh. F. “Braqa Ribar” – Kosturnik.

“Shkolla e re mua më duket shumë e mirë dhe është më e madhe”,- deklaroi nxënësi i Sh. F.“Braqa Ribar” – Kosturnik.

Ndryshe, kjo shkollë numëron rreth 24 nxënës dhe 4 mësimdhënës, vlen të theksohet se ndërtimi i objektit të shkollës ka filluar qysh në prill të vitit 2016.