Kovid 19/ Arriti donacioni nga Katari,Osmani: Ndihmë në kohë dhe mirë e targetuar

Në aeroportin e Shkupit Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane Bujar Osmani, në rolin e Koordinatorit Nacional për ndihmë të huaj në vend, në prani të Hamad Jasim Al- Mahmud, ushtrues i detyrës Ambasador i Katarit në vend, pritën donacionin – ndihmën për ballafaqim me COVID-19 nga Katari.

Marketing

Zëvendëskryeministri në emër të Qeverisë dhe në emër të qytetarëve, shprehu falënderim deri tek ushtruesi i detyrës Ambasador i Shtetit të Katarit në vend, Hamad Jasim Al- Mahmud, por edhe deri tek populli i Katarit për ndihmën e dhënë për vendin tonë.

“Bëhet fjalë për sasi të madhe, më shumë se tetë ton pajisje mbrojtëse e cila përbëhet nga: afro pesëqind mijë maska kirurgjike, rreth 90 mijë maska tre shtresore ​​mjekësore dhe kirurgjike, më shumë se 70 mijë maska ​​mbrojtëse N95;. Krahas maskave, pakoja përmban edhe dhjetëra mijëra syze mbrojtëse, helmeta mbrojtëse, skafandër mbrojtës, doreza mbrojtëse”- tha Osmani, i cili theksoi se bëhet fjalë për pajisje që na nevojiten, që seriozisht do ti përforcojë kapacitetet tona posaçërisht në shëndetësi dhe në sistemin shëndetësor, të cilët gjithsesi që paraqesin linjën e parë të mbrojtjes nga virusi korona.

“Duke i siguruar këto donacione nga miqtë tanë ndërkombëtar, sigurojmë edhe kursim serioz të buxhetit, në një kohë kur po ballafaqohemi me sfida ekonomike nga pandemia është gjithashtu shumë e rëndësishme” – shtoi Osmani.

Në pranim-dorëzim të donacionit u.d. Ambasadori i Shtetit të Katarit, Hamad Al Mahmud theksoi se ndihma e sotme humanitare u soll përmes Fondit për Zhvillim të Katarit dhe në drejtim të mbështetjes së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në luftë kundër pandemisë COVID19, duke potencuar se vendi ynë gjithmonë mund ta llogarisë në ndihmën dhe mbështetjen nga Shteti i Katarit dhe shprehu shpresë se kjo pandemi globale së shpejti do të përfundojë.