Kovid 19/Qeveria franceze plan mbështetës prej 110 miliardë eurosh

Franca vijon të përballet me ditët të vështira që prej fillimit të pandemisë COVID-19, ndërsa deri më tani kanë humbur jetën mbi 15 000 persona.

Marketing

Por, përveç dëmeve të rënda në njerëz, koronavirusi ka shkaktuar dhe pasoja në ekonomi, kjo gjë ka bërë që qeveritë në të gjithë botën të hartojnë strategji për të përballuar situatën.

Franca ka prezantuar një plan urgjent prej 110 miliardë eurosh për të forcuar sistemet e mbështetjes ekonomike.

Në mes të muajit marsit, një paketë e parë prej 45 miliardë eurosh u akordua për t’i bërë ballë krizës.
Kryeministri francez, Edouard Philippe theksoi se financimi i papunësisë së pjesshme që ka prekur tashmë më shumë se një në tre punonjës është rritur në 24 miliardë euro, ndërsa një fond solidariteti për bizneset shumë të vogla dhe të vetëpunësuarit arrinte në shtatë miliardë euro.

Projekti parashikon gjithashtu një përpjekje historike në favor të sistemit shëndetësor, në mënyrë të veçantë blerjen e pajisjeve shëndetësore dhe maska si dhe shpërblime të jashtëzakonshme për personelin shëndetësor dhe ndihmë për familjet më të prekura.

“Më 15 maj, katër ditë pas përfundimit të mundshëm të kufizimit, më shumë se katër milionë familje do të marrin ndihmë emergjente”, njoftoi gjithashtu Edouard Philippe në përfundim të Këshillit të Ministrave.

Familjet që përfitojnë nga minimumet e caktuara sociale do të marrin nga 150 euro secila, plus 100 euro për fëmijë dhe familjet që marrin ndihmë për strehim do të marrin 100 euro për fëmijë. Në total, shteti do të paguajë gati një miliardë euro.

Masat e jashtëzakonshme financiare për ndihmësit në vijën e parë në luftën kundër COVID-19, do të arrijnë në 1.3 miliardë euro, me bonuset prej 500 deri 1.500 euro neto dhe orët shtesë që do të rriten me 50%.

Pasi Presidenti Emmanuel Macron njoftoi të hënën se çerdhet dhe shkollat do të rihapen gradualisht pas 11 majit, komuniteti mjekësor mbetet i kujdesshëm në lidhje me zhvillimin e epidemisë COVID-19, që ka shkaktuar 15 729 të vdekur në spitale dhe shtëpitë e kujdesit për të moshuarit.

Marketing