KOVID-19/ Zyrtari i shëndetësisë tregon kur do të nisë vaksinimi në Itali

Italia pritet të nisë vaksinimin kundër koronavirusit nga 15 Janari. Lajmin e ka bërë të ditur kreu i Këshillit të Lartë të Shëndetit në këtë vend, Franco Locatelli. Ai ka deklaruar se Italia do të marrë vaksinat e para sapo ato të aprovohen nga agjencia evropiane e ilaçeve EMA.

Marketing

Besoj se mund ta kemi si dhuratë Krishtlindjesh, aprovimin e dy vaksinave të para dhe më pas, nga 15 Janari do të jemi në kushtet e duhura për të nisur vaksinimin” u shpreh ai.

Gjatë një interviste për televizionin publik italian Rai 3, kreu i institutit më të lartë të shëndetit në këtë vend shpreh bindjen se fundi i verës së vitit të ardhshëm do të sjellë fundin e pandemisë.

Franco Locatelli u referohet vaksinave  të kompanive Moderna dhe Pfizer, që janë në pritje të autorizimit për prodhim nga agjencia evropiane e ilaçeve.

Të dyja këto firma përdorin metodologjinë inovative të ARN-së, për të cilën Locatelli hedh poshtë çdo dyshim mbi sigurinë e tyre.

Sipas tij mbetet për t’u vërtetuar se sa do të zgjasë imuniteti që krijojnë këto vaksina, testet për të cilat zgjasin me vite.

Jo vetëm zyrtari i lartë i shëndetësisë europiane, edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, u shpreh se vaksinimi në Gjermani mund të niste që në Dhjetor të këtij viti. Ndërsa, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka premtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor do të furnizohen me vaksina të mjaftueshme nga Bashkimi Evropian.