Kovid, BE masa për Krishtlindjet, në Europë çdo 17 sekonda vdes një person

Komisioni i Bashkimit Europian ka publikuar udhëzimet për javët e ardhshme, në përpjekje për të shmangur një valë të re infektimesh gjatë periudhës së festimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Marketing

 “Në kontekstin aktual epidemiologjik në BE është e vështirë të justifikosh heqjen e masave të kontrollit. Për ata që duan të udhëtojnë, rekomandohet vaksina e gripit, “ tha Komisionerja e BE për Shëndetësinë, Stella Kyriakides.

Kyriakide theksoi gjithashtu se është e nevojshme që të mbahet nën kontroll pandemia derisa të gjitha vendet të kenë të disponueshme vaksinën anti-COVID.

«Në Evropë çdo 17 sekonda një person humbet jetën për shkak të Covid. Situata mund të stabilizohet, por mbetet delikate . Ne nuk duam të anulojmë Krishtlindjet, por t’i bëjmë më të sigurta,” shtoi ajo.

Teksti i Komisionit të Bashkimit Europian nuk përmend sportet dimërore, por mesazhi është i qartë, të gjitha shtetet duhet të sakrifikojnë diçka që të vendosin nën kontroll pandeminë.

Rekomandimet e Brukselit, synojnë të ketë një përgjigje të koordinuar dhe unifikuar kundrejtë luftë me virusin COVID, por janë shtetet anëtare ato që e kanë ekskluzivitetin dhe kompetencat e plota për  zbatimin e këtyre masave.

Pushimet shkollore

Në mënyrë që të zvogëlojë rreziqet e transmetimit në periudhën pas Krishtlindjes, Komisioni bën thirrje që t’i kushtohet vëmendje zgjatjes së pushimeve shkollore ose kalimit në një peiudhë në mësimin online, për të parandaluar infeksionet që të përhapen nëpër shkolla.  Në këto raste, shpjegon Brukseli, do të jetë e rëndësishme “të përcaktohet një datë, disa ditë para se fëmijët të kthehen në shkollë, në të cilën të gjitha familjet me fëmijë apo dhe mësuesit duhet të jenë kthyer në shtëpi nëse kanë udhëtuar.” Qëllimi është evidentimi dhe shmangaja e rasteve nëse virusi mund të merret gjatë udhëtimit apo periudhës së pushimeve.

Ceremonitë fetare

Në rastin e ceremonive fetare, Brukseli fton shtetet anëtare të “shmangin ceremonitë e mëdha ose t’i ndjekin ato online,  në televizion ose radio. Përdorimi i maskave është veçanërisht i rëndësishëm gjatë këtyre llojeve të takimeve “.

Distancimi fizik

Distancimi fizik dhe kufizimi i kontakteve shoqërore mbeten “thelbësore” edhe në muajt e dimrit, në veçanti gjatë periudhës së pushimeve. Masat duhet të bazohen në situatën epidemiologjike në vendin përkatës për të kufizuar ndikimin social dhe ekonomik. Komisioni fton të gjithë që të  të mos lejojnë takime masive dhe të përcaktojnë kritere të qarta për ngjarje të jashtëzakonshme. P.sh.  të përcaktohet numri maksimal i njerëzve të lejuar për takime të brendshme dhe të jashtme dhe masa specifike të kontrollit.

Puna nga shtëpia dhe karantinimi

Në funksion të pushimeve, për të shmangur infektimin, është rekomanduar nga Komisioni I BE  “të lejoni njerëzit të punojnë nga shtëpia ose nga vendi ku ata synojnë të kalojnë pushimet e fundvitit disa ditë para dhe pas rikthimit në ambientet e punës, mundësisht rreth shtatë ditë”.

Qëllimi është të sigurohet që punëtorët mund të vetë-karantinohen (për të paktën 7 ditë) para se të kthehen në vendin e punës. “Aty ku puna në distancë nuk është e mundur, punëdhënësit duhet të vendosin masa që lejojnë kthimin e sigurt në punë.”

Testet mbeten thelbësore për të zbuluar grupet dhe për të ndaluar transmetimin.

Udhëtime të sigurta me një vaksinë anti grip

Pushimet e fundvitit mund të çojnë në rritje të udhëtimeve.  Është e nevojshme që të ruhet siguria dhe të arrihet koordinimi midis shteteve. Komisioni po ashtu kërkon që të gjithë qytetarët të bëjnë vaksinën e gripit para udhëtimeve.

Sistemi shëndetësor

Shtetet duhet të përgatisin plane të vazhdimësisë së trajtimit të sëmundjeve të tjera dhe menaxhimin e shpërthimeve të rasteve të infektuara me Covid .

Mbështetje psikologjike

Pandemia shkakton stres të madh. Komisioni i BE fton shtetet anëtare të “forcojnë mbështetjen e publikut për të luftuar lodhjen pandemike. Duhet gjithashtu të intensifikohet mbështetja psikosociale ».

Plani i vaksinave

Komisioni është i gatshëm të mbështesë shtetet anëtare nëse është e nevojshme në shpërndarjen e vaksinave në përputhje me planet e tyre të shpërndarjes dhe vaksinimit.

Marketing