KQZ-ja pranon mbi 38.000 pako me fletëvotime

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi, ka njoftuar se deri më 12 shkurt në këtë institucion kanë pranuar 38,339 pako me fletëvotime për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit në Kosovë.

Marketing

Të premten njëherësh është edhe dita e fundit për pranim të fletëvotimeve që arrijnë nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës.

“Pranimi i këtyre pakove po bëhet me përcjelljen e Policisë së Kosovës si dhe vëzhguesve të subjekteve politike dhe organizatave joqeveritare të akredituara”, ka thënë Elezi.

Zyrtarë të KQZ-së kanë bërë të ditur javë më parë se mbi 103,582 personave jashtë Kosovës u është mundësuar shfrytëzimi i kësaj të drejte, derisa rreth 27,000 aplikuesve të tjerë nuk u janë pranuar aplikacionet.

Votimi përmes postës për zgjedhjet në Kosovë ka nisur më 2 shkurt.

Shumë qytetarë janë ankuar se pavarësisht pse kanë dërguar dokumentet e kërkuara gjatë aplikimit, nuk kanë gjetur emrat e tyre në listat përfundimtare të KQZ-së.

Ditëve në fundit është vërejtur një rritje e numrit të qytetarëve të nisur drejt Kosovës.

Qoftë përmes transportit ajror, apo atij rrugor, ata kanë thënë se një nga arsyet e vizitës është edhe pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës.

Marketing