KQZ pa afat për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve

Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk e parashikon një datë të caktuar se kur mund të shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor. Numërimi i votave tashmë ka përfunduar.

Marketing

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se ka përfunduar numërimi i të gjitha votave të rregullta, atyre me postë, votave me kusht, votave nga diaspora, votave të personave me nevoja të veçanta, si dhe rinumërimi për disa vendvotime ku ishin vërejtur parregullsi. Megjithatë, ai nuk jep edhe një datë se kur do të shpallet rezultati final.

“Nuk ka ndonjë afat ligjor se kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të shpallë rezultatin përfundimtar të një procesi zgjedhor. Por, ligji parasheh se të gjitha procedurat që duhet të përfundohen deri te shpallja e rezultatit përfundimtar”.

“Në këtë drejtim, KQZ-ja do të shpallë rezultatet përfundimtare të një procesi zgjedhor pasi të numërojë votat më kusht, votat me nevoja të veçanta dhe votat nga jashtë vendit. Po ashtu, pasi të përfundojnë të gjitha rinumërimet eventuale që bëhen me rekomandim të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Dihet se KQZ-ja ka përfunduar numërimin e këtyre votave”, tha Elezi.

Përmbyllja e procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që nënkupton shpalljen e rezultatit përfundimtar dhe certifikimin e tij, sipas Elezit, varet tashmë nga vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Bëhet fjalë për një ankesë të Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura nga diaspora në Kosovë jashtë afatit kohor ligjor.
Kjo ankesë fillimisht ishte dërguar në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), por ishte kthyer si kërkesë e pabazë. Më pas Vetëvendosje e kishte deponuar të njëjtën kërkesë edhe në Gjykatën Supreme, e cila vendosi pro ankesës së Vetëvendosjes dhe përmes një aktgjykimi e riktheu lëndën në PZAP.

Lidhur më këtë ankesë, PZAP të hënën ka shqyrtuar lëndën, por deri më tani nuk ka publikuar vendimin përfundimtar. Fejzullah Rexhepi anëtar në këtë Panel, pas përfundimit të mbledhjes me anëtarët e këtij Paneli tha para mediave se vendimi pritet të publikohet së shpejti.

“Vendimi është marrë, por nuk është përgatitur në formën e shkruar. Kështu që derisa ai të përpilohet në formën e shkruar nuk do të komentoj cili është vendimi. Është rregull që fillimisht të njoftohet subjekti që ka parashtruar ankesën, pastaj mediat dhe opinioni”, tha Rexhepi.Sa i përket rezultatit përfundimtar, edhe pas procesit të rinumërimit të 530 vendvotimeve, pastaj numërimit të votave nga diaspora, atyre nga Serbia dhe votave me kusht, nuk ka ndonjë ndryshim me rezultatin preliminar të prezantuara më 7 tetor. Lëvizja Vetëvendosje mbetet subjekti që ka fituar zgjedhjet, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Partia Socialdemokrate. Kurse mbetet ende të vërtetohet nëse koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë e ka kaluar pragun zgjedhor prej 5 për qind.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile që kanë qenë të përfshirë në vëzhgimin e gjithë procesit, kanë deklaruar se duke pasur për bazë trendët në të cilët është duke u zhvilluar i tërë procesi dhe dinamika e numërimit dhe rinumërimit të votave, përmbyllja e procesit do të marrë kohë.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se rinumërimi i disa vendvotimeve, ardhja me vonesë e votave nga diaspora si dhe votat nga Serbia kanë ndikuar pjesërisht në mënyrë negative në integritetin e tërësishëm të procesit zgjedhor.

“Për të qenë realist, u është dhënë më shumë një natyrë politike dhe janë zmadhuar si probleme, ndonëse në fakt, procesi ka qenë në suaza të atyre që kanë ndodhur edhe në ciklet e kaluara zgjedhore. Sa i përket votave me vonesë nga diaspora si edhe atyre nga Serbia, Kosova është përballur me këto dy fenomene edhe përgjatë cikleve të kaluara zgjedhore”, tha Cakolli.

Bazuar në raportimet nga vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtarë, procesi zgjedhor kaloi qetë dhe ishte në harmoni me standardet demokratike.

Marketing