Pothuajse çdo qytetarë i Maqedonisë ka kredi në banka, minuse të rrogave, shfrytëzon kartelë kreditore, si dhe futet edhe në borxhe tjera vetëm e vetëm të mund të siguron gjërat elementare.

Futja e qytetarëve në kredi dhe borxhe tjera dita ditës po rritet dhe sipas të dhënave të fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë (BPM), borxhi i amvisërive deri në fund të muajit korrik kap shifrën prej 2.3 miliard euro, ndërsa krahasuar me dhjetë vite më parë, është dyfishuar edhe borxhi i qytetarëve krahasuar me Bruto Prodhimin Vendor. Kështu sipas të dhënave të BPM-së, në vitin 2007 borxhi i qytetarëve ishte 14 për qind nga BPV-ja, kurse në fund të vitit 2017, huat kap shifrën prej 22 për qind nga BPV. Në numra absolut, kjo do të thotë se në vitin 2007, borxhi i qytetarëve ndaj bankave kapte shifrën prej 1.168 miliard euro, kurse me fundin e muajit gusht të këtij viti, borxhi total i amvisërive ndaj bankave kap shifrën prej 2.3 miliard euro, apo është dyfishuar.

“Nëse kemi parasysh shifrat, ndoshta kjo nuk është ndonjë përqindje e lartë nëse paratë e huazuara nga bankat nuk do të shpenzoheshin për nevoja të përditshme të qytetarëve. Çdo futje re e qytetarëve në borxhe për gjërat elementare, gjegjësisht për të mbijetuar muajin për shkak të rrogave të ulëta, nuk është zgjidhje e mirë. Nëse këto para që marrin qytetarët për të siguruar bukës e gojës, problem mbetet se si të kthehen parat e huazuara, prandaj kjo edhe i detyron të mendohet për borxhe tjera. Kështu krijohet një zinxhir që vazhdimisht futesh në borxhe të reja dhe asnjëherë të mos dalësh nga kreditë”, thotë Nasir Selimi, profesor i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore.

Ndërkohë, Fatmir Idrizi, drejtor i përgjithshëm për marrëdhënie më klientët pranë “Stopanska Banka” në Shkup, thotë se nëse thirremi në të dhënat e fundit të BPM-së, atëherë me siguri se ka ende hapësirë për të kredituar popullatën, porse duhet të kenë kujdes qytetarët se për çfarë i shpenzojnë paratë e marra si kredi.

“Po të analizojmë shifrat, po. Me siguri se ka hapësirë për dhënien e kredive të reja për qytetarë, megjithatë duhet të kenë parasysh kredimarrësit se për çfarë futen në borxhe të reja. Ajo që është shumë e rëndësishme është se për çfarë i marrin kreditë dhe për çfarë do ti shpenzojnë këto para, sepse ekziston rreziku që të mos munden në kohë ta kthejnë kreditë dhe kjo e çon qytetarin të futet në borxhe të tjera”, thotë Idrizi.

Të dhënat e fundit të BPM-së gjithashtu tregojnë se pas amvisërive, borxhe të larta tek bankat kanë edhe kompanitë. Shumat e borxhit që kompanitë ua kanë bankave kapin shifrën prej 2.4 miliard euro. Borxhlinj më të mëdhenj janë firmat që për veprimtari kryesore kanë tregtinë, transportin dhe hotelierinë.

Borxhi total i këtyre kompanive kap shifrën prej 807 milionë euro, derisa firmat ndërtimore u kanë borxh bankave gjithsejtë 285 milionë euro. Ose, të gjithë kompanitë bashkë u kanë borxh bankave 2.4 miliard euro apo rrije prej 4.2 për qind dhe është 67 për qind sa BPV, thuhet në të dhënat e fundit të BPM-së .

Përveç qytetarëve dhe kompanive, borxh të larta ndaj bankave ka vetë Qeveria e Maqedonisë dhe atë përfundimisht me muajin mars të këtij viti, borxhi i Qeverisë ndaj bankave kap shifrën prej 1.3 miliard euro./koha.mk/