Krenari në dhembje

Më shkaktuan zhgënjim e neveri ata të cilët dëshmuan mungesën elementare të dhembjes e të humanitetit , ata që pa kurrfarë turpi shprehnin dëshpërimin që në aksidentin e Llaskarcës paskan humbur jetën pakë njerëz, duke e ndërlidhur monstruozitetin e vetë me “hakmarrjen që duhet t’ju vijë nga Zoti atyre të cilët e shitën Maqedoninë…”.

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi
Tragjedia që u shkaktua nga aksidenti në afërsi të Llaskarcës ishte vërtetë e përmasave të mëdha, ajo ishte një pikëllim i përgjithshëm i tërë opinionit në vend e më gjërë që nga zemra ngushëlloin familjarët e të aksidentuarve. Në raste të këtilla të cilat mundë të ndodhin dhe të cilat njeriu nuk ka mundësi t’i parandalojë, mbështetja te Zoti dhe mbështetja te njëri – tjetri është prehje, është qetësim i shpirtit të trishtuar dhe është burim shprese dhe bindje se jeta, megjithatë, vazhdon.

Në këtë atmosferë të pikëllimit që na kaploi dhe jashtë dhembjes të pa fund që do mbetet të jetojë te familiarët, të gjithë ishim dëshmitarë se sa e madhe, sa bujare, sa fisnike dhe sa solidare mundë të jetë zemra e njeriut, sa shumë mundë të bëjmë ne për të ndihmuar ata që i ka goditur fatkeqësia.
Më bëjnë shumë krenar banorët e Llaskarcës që nuk kursyen vehten dhe të parët ju dolën në ndihmë të aksidentuarve duke anashkaluar rrezikun eventual.

Më bëjnë krenar kalimtarët e rastit që nuk nguruan të ndihmojnë. Më bëjnë krenar mjekët shqiptarë të cilët natë e ditë kujdestaruan dhe intervenuan për të shpëtuar jetë njerëzish bashkë me kolegët e tyre maqedonas. Më bëjnë krenar djemtë e vajzat që qëndronin përpara spitaleve dhe ju ofronin ndihmë familiarëve të njerëzve të aksidentuar. Më bëjnë krenar njerëzit që hapën dyertë e shtëpive të veta për të gjithë që kishin nevojë për strehim ndërkohë që pritnin të kuptojnë fatin e të afërmve të tyre.

Dhe, jam krenar me strukturat e BFI të cilat u vetëorganizuan për të ndihmuar e për të qëndruar me të lënduarit dhe me familjet e tyre duke dëshmuar se institucioni ynë është institiucion i popullit.

Duke i ndihmuar të aksidentuarit, asnjëri nga heronjtë që i përmenda më lartë dhe shumë të tjerë që nuk i përmenda, për asnjë çast nuk pyetën se cilit komb apo cilës fe ju takojnë të lënduarit, për cilën parti votojnë, në rrezik ishin njerëz dhe njerëzve duhej ndihmuar. Një gjë e këtillë do duhej të jetë diçka normale, reagim i natyrshëm i njeriut ndaj njeriut.

Por, ja që diçka që duhet të jetë tërësisht e natyrshme, te unë po zgjonë krenari dhe admirim. Dhe, kjo po ndodhë për shkak se aksidenti tragjik në të cilin humbën jetën djemë e vajza të reja si edhe njerëz më të moshuar, shqiptarë e maqedonas, muslimanë e të krishterë, i nxorri nga errësira lugetërit që qëndrojnë të strukur duke pritur situata të jashtëzakonshme dhe fatkeqësi.

Jam shumë krenar dhe shumë i lumtur sepse njerëzit ngadhnjyen mbi lugetërit të cilët nga çasti në çast, kur akoma nuk dihej bilanci i aksidentit, i rritnin tensionet mes njerëzve duke iu gëzuar fatkeqësisë. Me këtë rast as nuk dua të merrem me postin jonjerëzor të profesoreshës me të cilin ajo vehtes ia veshi për gjithmonë epitetin e monstrës, ndaj sajë reagova që në çastin e parë.

Më shkaktuan dhembje shtesë dhe zhgënjim ata të cilët dëshmuan mungesën elementare të dhembjes e të humanitetit , ata që pa kurfarë turpi shprehnin dëshpërimin që paskan humbur jetën pakë njerëz duke e ndërlidhur monstruozitetin e vetë me “hakmarjen që duhet t’ju vijë nga Zoti atyre që e shitën Maqedoninë…”.

Sidoqoftë, lugetërit e luajtën vallen e tyre dhe ikën sërish në errësirë për të pritur momentin e volitshëm në të cilin do derdhin ndonjë sasi të re të urrejtjes. Ata lanë pas vehtes shijen e hidhur të çnjerëzores, të dëshirës së sëmurë për hakmarje, të vlerave të përmbysura njerëzore.

Për fat të mirë, fituan edhe kësaj here heronjtë pa emër të lagjeve e fshatrave tona, të spitaleve e institucioneve tona, duke dëshmuar se ky vend ka ardhmëri në shoqëritë tolerante dhe humane. Prandaj jam krenar.
Ndërkohë, të lutemi për njerëzit që humbën jetën dhe për ata të lënduarit, Zoti i shpërbleftë.

evn