Kreu i BFI-së Shaqir Fetai, dënon sulmin terrorist në Vjenë

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame Shaqir Fetai, i ka dënuar sulmet terroriste në Vjenë dhe ka ngushëlluar familjet e viktimave. Në një postim në rrjetet sociale Kreu i BFI ka thënë se muslimanët e Maqedonisë së Veriut ndajnë dhimbjen me familjet e sulmit në Vjenë.

Marketing

“Me keqardhje të thellë mësuam lajmin për sulmin terrorist në Vjenë të Austrisë. Ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave dhe tërë popullin Austriak dhe në të njëjtën kohë dënojmë ashpër çdo vepër dhe akt të dhunës që bëhet në emër të Islamit dhe muslimanëve dhe ka për synim të marrë jetën e njerëzve, dëmtimin e objekteve fetare, të krijojë kaos dhe terror në rrugët e Evropës, të lëkundë themelet e tolerancës ndërfetare dhe të ngjallë pabesi tek komuniteti mysliman në përgjithësi”.

Fetai gjithashtu ka dënuar edhe sulmin në Kabull të Afganistanit, ku në një panair të librit mbetën të vrarë mbi 22 persona.

“Sulmit në Vjenë, i parapriu një masakër në qytetin e Kabulit në Afganistan, ku në panairin universitar të librit, u vranë mbi 22 vetë. Kjo flet qartë për ideologjinë e sulmuesve, veprat e të cilëve janë qyqare, të pa pranueshme dhe të ndaluara sipas gjitha mësimeve të islamit. Lusim të Madhin Zot vepra të këtilla mos të përsëriten në të ardhmen”, shkruan  kreu i BFI-së.

 

Marketing