Kreu i diplomacisë amerikane në vend Jess Baily qëndroi sot për vizitë në Komunën e Çairit

Kreu i diplomacisë amerikane në vend Jess Baily, miku i madh i Maqedonisë dhe përkrahës i rrugës sonë drejt integrimeve euro-atlantike qëndroi sot për vizitë në Komunën e Çairit, ku realizoi takim të rëndësishëm pune me kreun e komunës Visar Ganiu.

Takimet e këtilla kanë peshë të madhe për njësitë e pushtetit lokal pasi krijojnë predispozita dhe horizont të ri për përforcimin e efikasitetit funksionues.

Gjatë këtij takimi, kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu njoftoi ambasadorin Baily për gjendjen aktuale të Komunës së Çairit, për angazhimin dhe punët konkrete që po ndërmerr udhëheqësia e re për të qenë në mënyrë sa më efikase në shërbim të qytetarëve. Ai poashtu faleminderoi ambasadorin amerikan për angazhimin dhe gatishmërinë e përhershme që të dëgjojë sfidat e menaxhimit të udhëheqjes së komunave në vendin tonë dhe të ofrojë përkrahjen e tij maksimale për tejkalimin e suksesshëm të tyre.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Jess Baily faleminderoi kreun e Komunës së Çairit për mikëpritjen duke inkurajuar atë dhe gjithë strukturën organizative në misionin për të kryer obligimet profesionale në kohë dhe në mënyrë cilësore. Ai premtoi vazhdimësi dhe fuqizim të përkrahjes për shoqëri gjithëpërfshirëse dhe me perspektivë që trajton në mënyrë të barabartë çdo qytetar të vendit.

evn