Kreu i VMRO-së: Pse e refuzojmë tezën e “kryeministrit shqiptar” të Ali Ahmetit

Kreu i VMRO-së, partisë më të madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut, Hristijan Mickoski, komentoi kauzën e BDI-së për kryeministër shqiptar, duke thënë se ku është dakort e ku jo me të.

Marketing

Në një intervistë për REL, Mickoski kontestoi aspektin etnik të kësaj qasjeje.

“E përshëndes parimin për kandidatin për kryeministër, pasi ky parim është promovuar nga ana e VMRO-DPMNE-së, por nuk mund të përshëndes atributin etnik, pasi që përkatësia etnike nuk është edhe përkatësi profesionale.

Kryeministër, kryetar i qeverisë bëhesh në terren, përkatësisht e fiton ose nuk e fiton besimin e shumicës së qytetarëve. Kështu që, me shumë rëndësi është të funksionojmë mbi bazë të këtyre parimeve për shkak se këto parime nëse nuk respektohen, atëherë do të këtë shumë modifikime dhe këto modifikime do të shkaktojnë probleme në funksionimin e secilës qeveri”, tha Mickoski.

Në gjykimin e tij, kauza e re e Ali Ahmetit është vetëm për konsum të brendshëm.

“E inkurajoj Bashkimin Demokratik për Integrim dhe partitë e tjera politike të cilat në të ardhmen do ta pranojnë zotimin për kandidat, për mandatar (shqiptar), le të bëjnë program politik me të cilin do të dalin dhe do të marrin besimin e qytetarëve pavarësisht përkatësisë etnike, por përmes projekteve kualitative, vizionit, bindjeve e kështu me radhë.

Kështu që vlerësoj se kjo bëhet për një lloj mobilizimi të brendshëm sesa për atë që nesër do të paraqet kusht për koalicionin, pasi mandatar për qeverinë e ardhshme do të jetë ai i cili do të sigurojë numrin më të madh të votave të qytetarëve që do të dalin për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, arsyetoi njeri që ka pasuar Gruevskin e arratisur në krye të VMRO-së e që synon të sjellë këtë forcë sërish në pushtet.

Nga ana tjetër, kundërshtare e emrit të ri të Maqedonisë (me shtesën “e Veriut), Mickoski tha se kuaza e tyre, ajo që kundërshton Marrëveshjen e Prespës, do vijojë.

“Jo, shikoni, ne fillimisht e përdorim formën thirrore nga emri Maqedoni (o Maqedoni), kjo për shkak se duam të tregojmë një lloj krenarie për shkak se qëndrimi ynë i lidhur me maqedonizmën tonë, me atë që ne jemi maqedonas që vijmë nga Maqedonia, është qëndrim i njohur dhe shumë herë i artikuluar në publik; këtë e kemi thënë në qindra intervista dhe këtu nuk kam çfarë të shtoj e as çfarë të heq.

Njëkohësisht, e kemi thënë se jemi kundër kapitullimit që e solli Zoran Zaev me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës dhe, njëkohësisht, kemi thënë se nuk do ta injorojmë realitetin, por njëkohësisht kemi thënë se kurrë nuk do të lejojmë që të shuhet zjarri maqedonas – përderisa ekziston VMRO-DPMNE, ne do të luftojmë për maqedonasit, për Maqedoninë dhe për gjithçka që është e lidhur me mbiemrin maqedonas”, tha aspiranti për kryeministër, Hristijan Mickoski. /tesheshi.com/