Kriza e migrantëve, “blindohet” kufiri jugor

Forca të shtuara ushtarake vazhdojnë ta mbajnë të fortifikuar kufirin jugor të shtetit nga frika e një vale të mundshme të emigrantëve. Komandanti suprem i Armatës, presidenti Stevo Pendarovski pa nga afër gatishmërinë e ushtrisë ndaj fluksit të mundshëm. Ai vizitoi edhe Qendrën tranzitore të refugjatëve në rajonin e Gjevgjelisë. Përveç forcave të shtuara të ushtrisë dhe policisë në këtë pikë kufitare janë të stacionuara edhe pjesëtarë të policisë ndërkombëtare FRONTEX.

Marketing

Para dy ditësh kemi rritur kontingjentin e armatës, nuk mund të flas për numra sepse janë informata të klasifikuara. Jo në pritje të ndonjë vale të madhe emigrantësh, megjithatë në gatishmëri eventuale nëse ndodh diçka të mos na zërë të pa përgatitur. Të gjitha organet kompetente janë këtu syçelë, duke analizuar dhe këmbyer informacione. Kështu që nuk mund të gjendemi në situatë që të jemi të befasuar – tha Stevo Pendarovski, President.

Zonat kufitare të Bogorodicës në jug dhe të Tabanocës në veri vazhdojnë të jenë në gjendje të jashtëzakonshme. Pikën kufitare të veriut e vizitoi kryeministri teknik Oliver Spasovski.
Dy qendrat tranzitore në Gjevgjeli dhe Tabanocë kanë kapacitet të limituar deri në 1 mijë refugjatë. Spasovski tha se emigrantët mund vetëm të kalojnë nëpër vend apo të strehohen përkohësisht vetëm për 72 orë.

Është rritur niveli i sigurisë në brezin kufitar jugor dhe verior. Kemi gjendje të jashtëzakonshme krize që është në vazhdimësi. Dy qendrat tranzitore janë operative, kështu që jemi të përgatitur maksimalisht të veprojmë nëse eventualisht kemi çfarëdolloj vale të re të refugjatëve, që ta mbrojmë kufirin dhe mos të lejojmë hyrje ilegale në territorin e vendit – u shpreh Oliver Spasovski, Kryeministër teknik.

Megjithatë, herë pas here ilegalisht vërehen emigrantë duke ecur nëpër autostradë drejt veriut. Ndërkohë në kufirin greko- turk për dallim nga një ditë më parë tensionet janë ulur dukshëm, nuk ka përplasje midis emigrantëve dhe forcave greke të sigurisë. Për të parë situatën nga afër, Greqinë e vizituan krerët e tre institucioneve më të larta të BE-së. Edhe SHBA-ja i ka ofruar mbështetje shtetit helen në përballjen me fluksin e emigrantëve. Situata në kufirin grek u tensionua pas vendimit të Turqisë për të hapur kufijtë, tokësor, ujor dhe ajror për refugjatët, të cilët më shumë se 5 vite qëndrojnë në territorin turk. Refugjatët synojnë të mbërrijnë në shtetet e BE-së përmes Bullgarisë dhe Greqisë, duke tranzituar në Maqedoninë e Veriut.