Kroacia goditet nga një tërmet i fuqishëm

Një tërmet i fuqishëm ka goditur Kroacinë të dielën. Sipas Qendrës Gjermane për Gjeoshkencë, (GFZ), tërmeti me magnitudë 5.3 kishte epiqendrën në veri të Zagrebit.

Marketing

Fillimisht nuk është raportuar për të lënduar, por tërmeti ka rrënuar shumë objekte e ka detyruar njerëzit të dalin në rrugë.

“Zgjati rreth dhjetë sekonda. Ka qenë më i fuqishmi që kam ndier ndonjëherë”, ka thënë një dëshmitar për Reutersin, duke shtuar se ky tërmet erdhi pas disa lëkundjeve më të lehta.

Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Davor Bozinoviq, ka kërkuar përmes Twitterit që njerëzit që dalin në rrugë të mbajnë distancë teksa vendi po përballet edhe me shpërndarjen e koronavirusit. Deri tash, në Kroaci janë raportuar 206 raste me infeksion, ndërsa një person ka vdekur.