Kroacia premton mbështetje për Kosovën gjatë kryesimit të BE-së

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq sot në Prishtinë ka shpalosur axhendën e Kroacisë me marrjen e Presidencës në Këshillin e Bashkimit Evropian.

Marketing

Në një konferencë për media të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, u tha se Kroacia me rastin e marrjes së Presidencës së Këshillit të BE-së do t’i kushtojë vëmendje të veçantë Kosovës dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve për bashkëpunim rajonal dhe fqinjësi të mirë.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova tha se viti 2020 paraqet kohë për ndryshime efektive për rinovimin e projektit të përbashkët evropian.

Në këtë kontekst, Apostolova tha se Samiti i Zagrebit i cili pritet të mbahet në maj të vitit 2020 me 25 shtete anëtare të BE-së, ku pritet që të gjitha vendet të unifikojnë qëndrimet e tyre për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, do të jetë ngjarje e rëndësishme politike për zgjerim.

“Ky pranim-dorëzim i presidencës është veçanërisht emocionues pasi do të jetë hera e parë që Kroacia, shteti më i ri anëtar i BE-së, merr këtë rol të rëndësishëm. Viti 2020 paraqet kohën për ndryshim dhe rinovim të projektit tonë të përbashkët. Kohë kur lidershipi efektiv është më shumë se kurrë i kërkuar”, tha ajo.

Ambasadorja kroate Barishiq ka përmendur objektivat kryesore të cilat synon Kroacia t’i arrijë përgjatë gjashtëmujorit të kryesimit.

Barishiq ka thënë se tek Evropa në zhvillim objektivi kryesor është të sigurojnë një zhvillim të ekuilibruar, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të BE-së, i cili merr parasysh specifikat dhe nevojat e të gjitha shteteve anëtare.

“Programi ynë presidencial është i bazuar në katër prioritete. Evropë e zhvilluar, Evropë që lidhë, Evropë që mbron dhe Evropë me ndikim”, theksoi Barishiq.

Duke folur për Kosovën, Barishiq tha se formimi sa më shpejtë i qeverisë së re është i nevojshëm për t’i adresuar prioritetet që ndikojnë në avancimin drejt integrimit në BE.

“Kosova është kandidate potenciale, kështu që ne do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë zhvillimit të menjëhershëm të marrëdhënieve dhe ju siguroj se ekziston një vullnet i fortë në Zagreb për të përparuar. Bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimi i marrëdhënieve fqinjësore është i rëndësishëm gjithashtu”, theksoi ajo.

Në prezantimin e prioriteteve të Kroacisë gjithashtu u tha se Zagrebi zyrtar ka vullnet të çojë përpara proceset prioritare të Kosovës. Barishiq theksoi se Kosova ka një përqindje të lartë të të rinjve “që është avantazh i madh”. Ajo shtoi se “kosovarët dëshirojnë të jetojnë në një shtet të rregulluar dhe në prosperitet ku respektohet sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut”.

Kroacia nga 1 janari i vitit 2020 deri më 30 qershor të këtij viti do të kryesojë në Presidencën e Këshillit të BE-së. Një gjë e tillë është parë pozitive nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës për t’i shtyrë përpara proceset integruese drejt BE-së.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas marrjes së kësaj detyre nga Kroacia, tha se pret që të ketë “adresim më të zëshëm në padrejtësinë me regjimin e vizave për kosovarët nga BE-ja”.