Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ishte sot në qytetin e Beratit, ku zhvilloi një takim me strukturat e partisë që ajo drejton.

Në fjalën e saj, Kryemadhi evidentoi edhe njëherë gjendjen e vështirë ekonomike, që ka kapluar familjet shqiptare, të cilës i shtohet edhe pasiguria e të jetuarit në një vend që drejtohet nga krimi.

“Sot shqiptarët janë më të varfër dhe më të pasigurt, ndaj është momenti për të reaguar. 85% e shqiptarëve janë të zhgënjyer me qeverisjen e Edi Ramës dhe krimi i organizuar, që drejton sot Shqipërinë, është në minorancë përballë qytetarëve. Ne sot kemi dy shanse, ose të zvarritemi në llumin e Edi Ramës, ose të reagojmë dhe të krijojmë shanse të barabarta për të gjithë qytetarët”, deklaroi Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së foli edhe për Reformën në Drejtësi, ku edhe këtë herë akuzoi se është pikërisht Edi Rama ai që po pengon krijimin e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, pasi ai do të jetë i pari që do të hetohet prej tyre.

“Edi Rama po pengon avancimin e Reformës në Drejtësi dhe po tenton ta kapë atë. Ai po bllokon qëllimisht krijimin e SPAK-ut dhe BKH-së, pasi këto institucione do të hetojnë pikërisht Ramën të parin”, tha kryemadhi nga berati.