Kryeministri britanik, Boris Johnson, e ka kaluar natën në kujdes intensiv të një spitali në Londër, pasi simptomat e tij nga sëmundja COVID-19 u përkeqësuan.

Zyra e tij tha se ai ishte transferuar në repartin intensiv, me këshillën e ekipit të tij mjekësor, dhe po merrte “kujdes të shkëlqyeshëm”.

“Gjatë pasdites të së hënës, gjendja e kryeministrit është përkeqësuar dhe, me këshillën e ekipit të tij mjekësor, ai është transferuar në njësinë e kujdesit intensiv në spital”, njoftoi zyra e tij.

Kryeministri, 55 vjeç, dielën në mbrëmje u dërgua në spital për shkak të “simptomave të vazhdueshme” të koronavirusit.

Mbretëresha Elizabeth II është mbajtur e informuar për shëndetin e kryeministrit Johnson.

Liderë botërorë – përfshirë presidentin e SHBA-së, Donald Trump dhe presidentin francez Emmanuel Macron – kanë shprehur mbështetjen e tyre për kryeministrin britanik.

Presidenti Trump tha se “të gjithë amerikanët po luten për shërimin e tij”.

Ai e përshkroi kryeministrin Johnson si “një mik shumë të mirë të tij, dhe një mik të kombit” i cili është “i fortë” dhe “nuk heq dorë”.

Presidenti Macron tha se ai i dërgoi “të gjithë mbështetjen Boris Johnsonit, familjes së tij dhe popullit britanik, në këtë moment të vështirë”.

Në Londër, udhëheqësi i laburistëve, Keir Starmer tha se ky është një”një lajm jashtëzakonisht të trishtuar”.

Johnson njoftoi 11 ditë më parë se ai ishte infektuar me koronavirus. Simptomat e tij përfshinin temperaturë të lartë dhe kollë.