Kryeministri i ri izraelit zotohet të bashkojë kombin

Kryeministri i ri i Izraelit, Naftali Bennet, u zotua se do të bashkojë kombin e ndarë nga katër palë zgjedhje në dy vjet.

Marketing

Ai tha se Qeveria e tij “do të punojë për të gjithë njerëzit” dhe shtoi se përparësi do të jenë reformat në arsim, shëndetësi dhe zvogëlimi i burokracisë.

Bennet, nacionalist i krahut të djathtë, do të udhëheqë një koalicion partish, të cilit iu dha mbështetja në Parlament të dielën me 60 vota për dhe 59 kundër.

Ai pason Benjamin Netanyahun, i cili u detyrua të largohet nga zyra pas 12 vjetësh.

Bennett, udhëheqës i partisë Yamina, do të jetë kryeministër deri në shtator të vitit 2023, si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit.

Ai pastaj do t’ia dorëzojë pushtetin udhëheqësit të partisë Yesh Atid, Yair Lapid, i cili do të udhëheqë për dy vjet të tjerë.

Netanyahu – kryeministri më jetëgjatë i Izraelit – do të mbetet udhëheqës i partisë së krahut të djathtë Likud dhe do të bëhet lider i opozitës.

“Do të rikthehemi”, tha Netanyahu gjatë debatit të së dielës në Parlament.

Netanyahu ka shërbyer pesë mandate si kryeministër – fillimisht nga viti 1996 deri më 1999, e pastaj vazhdimisht nga viti 2009 deri më 2021.

Ai i ka thirrur zgjedhjet në prill të vitit 2019, por nuk ka arritur të fitojë mbështetjen e mjaftueshme, për të formuar një qeveri të re të koalicionit. Pas tyre janë zhvilluar edhe dy palë zgjedhje, pa rezultat konkret.

Pas zgjedhjeve të treta, Netanyahu ka formuar një qeveri të unitetit kombëtar me udhëheqësin e atëhershëm të opozitës, Benny Gantz, por marrëveshja është prishur dhe Izraeli është kthyer në votime në muajin mars.

Partia e tij ka dalë e para, por meqë Netanyahu nuk ka arritur të formojë qeverinë, detyra i ka kaluar Lapidit, partia e të cilit ka dalë e dyta.

Pas disa javësh negociata, qëllim kryesor i opozitës është bërë largimi i Netanyahut nga zyra.

Marrëveshja për koalicion, që përfshin tetë fraksione, është nënshkruar më 2 qershor. Koalicioni ka minimumin e ulëseve të nevojshme për të qeverisur.

Aleanca përmban parti, të cilat kanë dallime të mëdha ideologjike. Ajo po ashtu pritet të ketë një numër rekord prej nëntë grave që do të udhëheqin ministritë.

Përfaqësuesit e palestinezëve reaguan me shpërfillje ndaj Qeverisë së re të Izraelit.

“Kjo është një çështje e brendshme izraelite. Pozicioni ynë ka qenë gjithmonë i qartë, ajo që duam është një shtet palestinez në kufijtë e vitit 1967, me Jerusalemin si kryeqytetin e tij”, tha një zëdhënës i presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

“Është një okupim dhe një entitet kolonial, të cilit duhet t’i rezistojmë me forcë për të rikthyer të drejtat tona”, tha një zëdhënës i Hamasit – grupit islamik që kontrollon Rripin e Gazës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, uroi kryeministrin e ri, Bennett, dhe kolegun e tij, Lapid, duke thënë se pret që të punojë me ta për forcimin e “marrëdhënieve të ngushta” midis dy vendeve.

“Administrata ime është plotësisht e angazhuar për të punuar me Qeverinë e re izraelite drejt avancimit të sigurisë, stabilitetit dhe paqes për izraelitët, palestinezët dhe njerëzit në të gjithë rajonin e gjerë”, tha përmes një deklarate Biden.

Duke falënderuar Bidenin për “vitet e angazhimit të tij në sigurinë e Izraelit” dhe për “qëndrimin pranë Izraelit” gjatë luftimeve me militantët e Hamasit në Gaza, muajin e kaluar, Bennett tha se Qeveria e tij do të ndjekë marrëdhënie të mira si me demokratët në SHBA, ashtu edhe me republikanët.