Nuk do të ketë rikonstruim të kabinetit Qeveritar. Kryeministri Zoran Zaev thotë se Qeveria është formuar vetëm 8 muaj më parë dhe puna e anëtarëve të Qeverisë akoma nuk është në stadin kur mund të konstatohet nëse ka nevojë ose jo për ndryshime kadrovike.

Nuk do të duhej. Ekzekutivi është zgjedhur nga Kuvendi dhe meritojnë shansin pasi ka vetëm 8 muaj që janë në ato pozita. Nuk duhet harruar se Qeveria u votua më 1 shtator dhe për momentin nuk ka diçka të tillë – tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Të njëjtin qëndrim ka edhe BDI nga ku thonë se ndryshimet kadrovike nuk janë në agjendën e Qeverisë.

Koalicioni është i qëndrueshëm dhe funksional. Të gjithë jemi të përkushtuar në realizimin e programit të Qeverisë, tejkalimin sa më të shpejtë të sfidave shëndetësore dhe integruese, rritjen e standardit jetësor dhe nuk ka plane të tilla në agjendë – njoftojnë nga BDI-ja.

Ne mbledhjen e ardhshme Qeveria duhet të vendos për çështje të reja kadrovike. Duhet emëruar drejtori i ri i Inspektoratit Shtetëror të Punës pas shkarkimit të Stojko Paunovskit, si dhe zëvendësdrejtori i ri i Doganave, pas dorëheqjes së Irfan Buçit për arsye familjare. Dy emrat më të përfolur të cilët mund ta zëvendësojnë Buçin janë Muarem Asani, ose Artan Veseli aktualisht udhëheqës i Doganës së Shkupit. Jo zyrtarisht flitet për ndërrime resorësh, ku BDI mund të heq dorë nga Financat në këmbim të një resori tjetër. Ndërsa ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, nga burime të afërta me BDI-në, përflitet si kandidat i mundshëm për Kërçovën.

https://alsat.mk/kryeministri-zaev-perjashton-rikonstruimin-e-qeverise/