Kryeparlamentari Xhaferi do të qëndrojë në vizitë pune në Uashington – SHBA

“Me ftesë të Partneritetit Demokratik të Dhomës Përfaqësuese të SHBA-së (HDP), Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi do të qëndrojë në vizitë pune në Uashington – SHBA, bashkë me të ftuarit tjerë nga Kuvendi, gjegjësisht nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Frosina Tashevska- Remenski dhe koordinatorin e Grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikola Micevski.

Marketing

Forumi parlamentar dyditor për liderë që do të mbahet në Uashington më 16 dhe 17 korrik është fokusuar në ripërtëritjen demokratike dhe luftën kundër kanosjeve të përbashkëta për demokracinë.
Gjithashtu, në kuadër të forumit, Kryetari Xhaferi dhe deputetët do të realizojnë edhe takime bilaterale me kolegët e Kongresit dhe Qeverisë së SHBA-ve.

Programi i HDP është organizuar nga Instituti Nacional Demokratik (NDI), me mbështetje të Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar e SHBA (USAID) dhe në partneritet me Institutin Republikan Ndërkombëtar (IRI).

Në këtë program të nivelit të lartë, përveç Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, janë të ftuar të marrin pjesë edhe njëzet parlamente partnere të HDP-së.” – njoftojnë nga zyra e Kryeparlamentarit Xhaferi