Kryeparlamentari Xhaferri në samitin e Federatës Universale për Paqe

Jam i nderuar që sot gjendem në mesin tuaj, dhe kam mundësinë që në emrin tim personal, dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të përshëndes pjesëmarrësit e Samitit të Federatës Universale për Paqe që do të përqendrohet në përgjithësi në temën “Paqja, siguria dhe zhvillimi njerëzor në Evropën Juglindore”.
Të nderuar,
Nënshkrimi i Kartës së Kombeve të Bashkuara, obligimi dhe përkushtimi ndaj parimeve dhe qëllimeve të ligjeve ndërkombëtare dhe drejtësisë dhe sundimi i të drejtës së bazuar pikërisht mbi këtë të drejtë ndërkombëtare është garanci për paqen dhe sigurinë në botë. Ruajtja e kësaj paqeje dhe sigurimi i kushteve dinjitoze për jetë është obligim dhe e drejtë elementare e çdo njeriu. Evropa Juglindore, ka një histori turbulente e cila nuk lë indiferent askënd. Gjithmonë ka pasur antagonizma dhe përçarje, gjithmonë ka qenë lehtë të zgjohen kuçedrat dhe të vlojë kazani i quajtur “Ballkan” por, si duket, ngadalë por sigurt, po tejkalohen këto simptoma të dëmshme, fjalori i urrejtjes zëvendësohet me fjalorin bashkëkohor të dialogut të civilizuar dhe vizionar, duke krijuar në këtë mënyrë, hapësirë të bollshme për zhvillimin dhe avancimin e kësaj pjese të rruzullit tokësor. Sepse, dorën në zemër, i kemi të gjitha parakushtet për të krijuar ambient të shëndoshë dhe të mirë për të gjithë. Na nevojitet vetëm vullneti i sinqertë për bashkëpunim dhe për mbështetje të njëri tjetrit, dhe me këtë edhe të vetvetes, nevojitet mençuri dhe largpamësi, nevojitet vizioni për fotografinë e madhe, gjithëpërfshirëse, e jo e ngushtë dhe përjashtuese. Si vende nuk jemi tërheqës dhe interesant por si rajon mundemi shumë dhe qytetarët tanë meritojnë shumë. Të udhëhequr nga kjo maksimë se bashkë jemi më të fuqishëm, që nga pavarësimi i shtetit i përcaktuam qëllimet strategjike dhe rrugën që do e ecim si shtet, gjegjësisht anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Të nderuar,
Siç e dini, Republika e Maqedonisë së Veriut punoi dhe vazhdon të punojë shumë në fushën e avancimit dhe përforcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore sepse besojmë se vetëm qasja e sinqertë ndaj mosmarrëveshjeve dhe ndaj çështjeve të hapura dhe mbajtja e dialogut politik deri në shterjen e të gjitha mundësive, mund të sjellë deri te kompromisi i pranueshëm për palët. Si rezultat i këtij angazhimi altruist ishte nënshkrimi i dy marrëveshjeve, gjegjësisht Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë dhe Marrëveshjes me Republikën e Greqisë me të cilën u tejkalua kontesti shumëvjeçar i cili na pengonte në arritjen e qëllimeve tona strategjike, respektivisht integrimit në NATO dhe në BE. Tani ky proces është debllokuar dhe presim që deri në fund të vitit të bëhemi anëtari i plotfuqishëm i 30-të i NATO-s ndërsa në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e di që jeni të njoftuar për arsye se edhe Republika e Shqipërisë e jeton fatin e njëjtë si edhe ne.
Vij këtu prej Strasburgu, ku isha pjesëmarrës në Konferencën Evropiane të Kryetarëve të Parlamenteve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku krahas fjalimit që mbajta në Konferencë, kisha edhe takim me kryetarin e Parlamentit Evropian dhe me eurodeputetë tjerë. Gjatë gjithë bisedave që zhvilloheshin në një atmosferë të sinqertë dhe miqësore, u tha ajo që përsëritet vazhdimisht nga të gjithë se mbështetja për eurouintegrimin tonë vazhdon edhe më tutje, pranojnë se na është bërë padrejtësi por se nuk guxojmë të humbim shpresë dhe se duhet të ndjekim rrugën e njëjtë të përmbushjes së kritereve, gjegjësisht bërjes së reformave. Unë thashë se dëshpërimi është i natyrshëm te të gjithë, por edhe se për ne nuk është e pranueshme çfarëdo alternative eventuale e procesit të aderimit, respektivisht, vënia e vendit në kategorinë e fqinjësisë së BE-së dhe theksova se Procesi i Berlinit është komplementar me procesin e eurointegrimit nëpërmjet të cilit vendet e Ballkanit Perëndimor mund të arrijnë përparim të përshpejtuar reformues dhe ne jemi seriozisht të përkushtuar ndaj procesit në interes të integrimit më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Vërtetim për mbështetjen e dy vendeve tona është edhe Rezoluta që u miratua në Parlament me një shumicë dërmuese dhe me njohjen e gjithë përpjekjeve dhe reformave që i kemi bërë. Natyrisht se këtu nuk do të pushojnë aktivitetet tona dhe se edhe më tutje do të vazhdojmë me ritmin e njëjtë sepse kjo është për zhvillimin dhe përparimin e vendeve tona, për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë dhe për një jetë më cilësore për të gjithë. Do të vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe afrimi ndërmjet popujve tanë, shteteve tona dhe tërë rajonit dhe botës. Do të vazhdojmë me projekte të përbashkëta për të qenë konkurrent me botën e zhvilluar në aspektin teknologjik, ekologjik, kulturor, shkencor, intelektual, artistik dhe tjetër, sepse kemi potencialin njerëzor, kemi vullnetin e fortë dhe kemi largpamësinë të bëhemi shembullorë.
Të nderuar, ju faleminderit për vëmendjen!

Marketing
Marketing