Kryetari i ri i Ohrit do të zgjidhet më 5 maj në rrethin e dytë të zgjedhjeve

Të dhënat zyrtare të cilat i publikoi Komisioni Shtetëror Zgjedhor në lidhje me zgjedhjet e parakohshme për kryetar të komunave tregojnë se qytetarët e Ohrit kryetarin do zgjedhin në rrethin e dytë të zgjedhjeve të caktuara për më 5 maj.

Marketing

Sipas të dhënave të KSHZ-së, asnjë nga pesë kandidatët nuk ka fituar 50 për qind plus një të votave të nevojshme, kështu që në rrethin e dytë do të shkojnë kandidatët me numër më të madh të votave, e këto janë kandidati i LSDMsë Konstantin Georgieski dhe kandidati i VMRO-DPMNE-së Mitre Milloshevski.

Kandidati i LSDM-së Georgieski dje e fitoi mbështetjen e 13.037 qytetarëve, para kundër kandidatit nga VMRODPMNE-ja me 10.614 vota.

Nga kandidatët tjerë Mihail Trendafilov Nançe nga Bashkimi Demokratik Qytetar fitoi 1.655 vota, Stevçe Stevovski nga Demokratët 1.003 dhe Xhemal Mena nga Lëvizja Besa 553 vota.

Përndryshe, jehona e votuesve ishte 53,84 për qind, gjegjësisht dje të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 26.862 prej gjithsej 52.223 të regjistruarve në Listën Zgjedhore. Ajo që është karakteristike për rrethin e parë të zgjedhjeve për kryetar të komunës janë edhe 1.256 fletëvotime të pavlefshme gjegjësisht 4,45 për qind.