Kthimi i tatimit personal vijon, deri më 31 dhjetor

Rreth 17.000 bujq deri më 31 dhjetor të këtij viti duhet të marrin kthimin e tatimit personal të të ardhurave në vlerë prej gjithsej 80 milionë denarë. Kthimi ka të bëjë për të ardhurat nga shitja e produkteve bujqësore të cilat bujqit e kanë realizuar në vitin 2018.

Marketing

Ministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski dhe drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Sanja Llukarevska sot në konferencë për shtyp në Qeveri do të bëjnë të ditura hollësitë rreth pagesës e cila po vijon.

Dimkovski në fillim të këtij muaji bëri të ditur se ka përfunduar kontrollimi i listave me bujqit të cilët i përmbushin kushtet për kthim dhe apelon që ata t’i azhurnojnë xhirollogaritë për pagesë të pandërprerë të mjeteve.

Kusht për kthimin e tatimit personal është që bujqit, krahas të ardhurave të realizuara nga shitja e produkteve primare, të mos kenë realizuar të ardhura të tjera, në ndonjë bazë tjetër, të cilat gjithashtu janë tatimuar me tatim personal. Nuk do të marrin kthim të mjeteve ata bujq që janë në marrëdhënie pune ose realizojnë të ardhura nga qiraja ose nga lojëra të fatit, si dhe ata që janë pensionistë.

Personat fizikë, që do ta kalojnë pragun prej një milionë denarë të ardhura të realizuara, kanë obligim që sipas ligjit të regjistrojnë veprimtari në regjistrin adekuat. Regjistrimin mund ta bëjnë duke u shënuar në regjistrin i Ministrisë së Bujqësisë si bujq individualë ose në Regjistrin Qendror si tregtarë-individë ose si persona juridikë.

Me ndryshimet e fundit të Ligjit për Tatim Personal të të Ardhurave të sjella në vitin 2018, u rrit pragu për të ardhura të realizuara nga shitja e produkteve bujqësore prej 300.000 në një milionë denarë, ndërsa qytetarët veprimtaria bazike e të cilëve është bujqësia, arritën të drejtën e kthimit të tatimit të të ardhurave në vlerë deri 20.000 denarë. Në mënyrë shtesë, ishin liruar nga procedurat administrative siç është dorëzimi i kërkesës për regjistrim si tatimpagues dhe pagesën e taksave administrative.