Kumanovë, 20 bujq do të përfitojnë traktorë të rinj

Mbi 20 bujq nga Kumanova, Likova dhe Nagoriçani i Vjetër do të përfitojnë traktor nga masa për mbështetje të bujqësisë. Nga njësia lokale e Agjencisë për Nxitje të Zhvillimit të Bujqësisë informuan se mbi 40 bujq nga Kumanova kanë dorëzuar aplikime për programin 50/50 për furnizim me mekanizim.
Bujqit që përfitojnë përmes këtij programi do të paguajnë vetëm gjysmën e çmimit për pajisjen që marrin.
“Shumë prej tyre tashmë i kanë blerë traktorët dhe grumbullojnë dokumente për kërkesë për pagesë. Pra, atë përqindje që është me kofinancim nga shteti. Flas në Kumanovë, nuk ka asnjë që ka përfituar 50 për qind, të gjithë janë 55, 60, 70 dhe 75 për qind kofinancim nga shteti. Por, kjo varet nga kapacitet, mosha, gjinia, kushtet e kështu me radhë.”,- tha Xhabir Ramadani nga Agjencia për Nxitje të Zhvillimit të Bujqësisë, Kumanovë.
Nga Agjencia shprehen se bujqit janë të kënaqur që kanë mundësi që përmes këtij programi të amortizojnë mekanizimin me çka lehtësohet edhe më shumë puna e tyre.
“Të gjithë jemi për atë që të modernizojmë, të plotësojmë standardet që i kërkon BE, që të jemi bujq të karakterit modern. Para rregullisht ka edhe nga buxheti i shtetit edhe nga programi për zhvillim rural edhe nga IPARD programet.”,- u shpreh Ramadani.
Bujqit që do të përfitojnë traktorët nga kjo masë janë të obliguar që në 5 vitet e ardhshme ta punojnë tokën me të cilën kanë aplikuar dhe të mos e shesin mekanizimin.
Marketing