Kumanovë, 30 fëmijë me simptoma helmimi në çerdhe

Gjatë fundjavës, 30 fëmijë me simptoma helmimi nga ushqimi, në spitalin e Kumanovës kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Fëmijët në spital kanë ardhur me temperaturë të lartë, vjellje, diare dhe shtrëngime në stomak. Disa nga fëmijët janë ndalur në spital, kurse disa të tjerë pas ndihmës së ofruar janë lëshuar në kurim shtëpiak. Të gjithë fëmijët supozohet të jenë helmuar nga ushqimi të premten në njërën nga çerdhet e “Angell Shajçe” në Kumanovë. Drejtoresha e Çerdhes, Marina Aleksova, njoftoi se në këtë çerdhe kanë ardhur inspektorë nga Inspektorati Shëndetësor Shtetëror, nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, si dhe nga epidemiologë nga Shëndeti Publik. Po priten rezultatet nga monstrat e marra nga objekti për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Ndërkohë, drejtoresha njofton për përbërjen e vakteve të ushqimit për fëmijët gjatë ditës së premte.

Marketing

“Në mëngjes fëmijët kanë ngrënë vezë të fërguara me djathë, për drekë spinaq me mish dhe oriz si dhe banane. Inspektorët janë në objektet e çerdhes, po hetojnë dhe ata do të konstatojnë se për çka bëhet fjalë”,- tha ndër të tjera Marina Aleksova – drejtoreshë e çerdhes “Angell Shajçe” në Kumanovë.

Ekipi ynë kërkoi informacion edhe nga “Qendra e Shëndetit Publik” në Kumanovë, ku nga aty na njoftuan se ekipet e tyre menjëherë kanë dalë në terren.

“Si Qendër për Shëndet Publik, i dërguam ekipet tona mjekësore në vendin e ngjarjes dhe i kemi marrë strishot nga hapësirat e çerdhes, gjithashtu kemi marrë mostrat e ushqimeve ku do të bëjmë analizat e detajuara, pastaj do dalim edhe me rezultate. Besojmë se gjatë ditës së nesërme do të kemi raporte paraprake, mirëpo rezultatet finale besojmë se brenda 2 apo 3 dite do të dalin”,- tha për TVM2 drejtori i Qendrës për Shëndet Publik – Kumanovë, Arif Latifi.

Ndërkohë, nga burimet spitalore në Kumanovë njoftohet se gjatë fundjavës me simptoma të njëjta janë pranuar edhe fëmijë të tjerë që nuk kanë qenë në çerdhe me të njëjtit fëmijët. Gjithsesi pritet që të dalin rezultatet nga hetimet e kryera e pastaj të flitet për shkaqet eventuale të helmimit të fëmijëve në çerdhen e Kumanovës.