Ditë më parë në Kumanovë ka filluar ngritja e Garazhës në kate, përfundimi i së cilës pritet deri në fund të muajit mars.

Bëhet fjalë për garazh të tipit të montuar, e cila po ngritet në parkingun ekzistues tek Pallati i Kulturës.

“Kjo është garazha e parë mëntuese në Kumanovë. Bëhet fjalë për investim serioz , e që në vendet evropiane kushtojnë dy-tre herë më shumë se tek ne. Këtë garazhë është duke e ngritur një kompani italiane, e cila tek ne në Maqedoni është duke kërkuar referenca“, tha kreu i Kumanovës Maksim Dimitrievski.

Me ngritjen e kësaj garazhe do të krijohen mundësi për më tepër vend parkime në pjesën qendrore të qytetit, e me këtë do të shkrakohen edhe trotoaret nga makinat e parkuara në to.

“Besoj se do të kemi një garazhë impozante në kate , e cila edhe do ta zbukurojë qendrën e qytetit , kurse njëkohësisht do të shkarkojë edhe trafikun e mbingarkuar në qytet. Në kuadër të garazhës gjithashtu janë paraparë të ndërtohen edhe tualete publike, që për momentin i mungojnë qytetit“, theksoi Dimitrievski.

Për ndërtimin e kësaj garazhe, e cila do të shtrihet në 1.250 metra katrorë Komuna e Kumanovës ka ndarë 13 milionë denarë.