Kumanovë, nuk ka shtretër të lirë në Repartin Infektiv

Kumanova aktualisht ka 167 raste aktive me Covid-19. Megjithëse shifrat ditët e fundit janë në ulje, Reparti i Sëmundjeve Infektive pranë Spitalit të Përgjithshëm në Kumanovë nuk ka më shtretër të lirë. Ky repart ka një kapacitet prej 32 shtretër, andaj pacientët e tjerë transferohen në reparte të tjera.
“Për momentin jemi duke punuar me kapacitet të plotë, pra janë të plotësuar të 32 shtretërit sa edhe posedojmë. Një pjesë e pacientëve vijnë në trajtim ditor, varësisht nga gjendja e tyre shëndetësore, kurse një pjesë e pacientëve me simptoma më të lehta, me rekomandimin tonë, i trajtojmë në kushte shtëpie. Pacientët më të rëndë të cilët varen nga oksigjeni me temperaturë të lartë dhe me fotografi të keqësuar klinike i trajtojmë si pacientë të shtrirë në Repartin Infektiv.”,- tha kryeshefja e Repartit Infektiv – Kumanovë, Sunçica Josifova.
Nëse vjen deri te rritja e numrit të të infektuarve me Covid-19 në kuadër të ndonjë vale të re, siç po paralajmërohet, Spitali i Kumanovës megjithatë ka gati strategjinë për të trajtuar të infektuarit.
“Nëse kemi rritje të numrit të pacientëve me Covid-19, në marrëveshje me Drejtorinë e Spitalit për nevojat tona, do ta adaptojmë Repartin Psikiatrik për pranimin e pacientëve me Covid-19, deri sa të ndërtohet Spitali “Covid” i paralajmëruar.”,- tha Josifova.
Në Spitalin e Kumanovës janë në pritje të ndërtimit të njërit nga 16 spitalet e paralajmëruara në vend për pacientët me COVID-19.
Marketing