Kumanovë, pas një muaj e gjysmë asnjë i infektuar, në përgjithësi janë shëruar 50 punëtorë të shëndetësisë

Pas gati një muaj e gjysmë në Kumanovë për herë të parë nuk është regjistruar asnjë i infektuar me COVID-19, ndërkohë që janë shëruar edhe 9 pacientë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 290, nga të cilët 50 janë punëtorë të shëndetësisë nga Spitali i Kumanovës dhe ambulancat private.

Marketing

Rezultatet inkurajuese me rënien drastike të të infektuarve, por edhe numrin e të shëruarve ka ndikuar që Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim të sjellë disa masa lehtësuese.

Me vendim të Shtabit Komunal, Tregu Qendror i Qytetit dhe ai Rajonal do të rinisin me punë nga dita e hënë deri të premten prej orës 08:00 deri në orën 16:00 si për artikuj ushqimorë, prodhime ushqimore po ashtu edhe për veprimtari tjera, duke përfshirë të gjitha nivelet e tregut, konform rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore dhe qytetare.

Shtabi gjithashtu ka sjellë vendim të vejë sërish në funksion edhe parkingjet zonale në kuadër të Ndërmarrje Publike “Kumanova parking”, me çka do të shmangej mbingarkesa në komunikacion në qytet.

Ndërkohë që përmes një njoftimi të Spitalit të Përgjithshëm në Kumanovë bëhet e ditur se me punë ka rifilluar edhe Reparti i Gjinekologjisë dhe Akusherisë pranë këtij spitali, ku edhe do të kryhen me rregull të gjitha aktivitetet në kuadër të këtij reparti.

Shtabi gjithashtu po ndërmerr masa shtesë për dezinfektimin. Gjatë ditës ka rifilluar dezinfektimi i banesave kolektive, por edhe i rrugëve, rrugicave dhe shëtitoreve në qytet.

Marketing