Kundër martesave “burrë me burrë”. Shqiptarët bashkë me VMRO-në

Ligji për mbrojtje nga diskriminimi i ka bërë “bashkë” VMRO-DPMNE-në opozitare dhe BDI-në e Ali Ahmetit në pushtet. Edhe për njërën edhe për palën tjetër problematike është pjesa e Ligjit që rregullon të drejtat e komunitetit LGBT, por jo vetëm, kontestuese janë edhe disa norma tjera të propozuara në ligj. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), thonë se Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi për ata është kontestues në pjesën ku bëhet fjalë për definicionin e martesës si institucion, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

“Bëhet fjalë për LGBT bashkësinë dhe disa kategori tjera kontestuese… Është e vërtet se edhe në BDI ekzistojnë këto dilema, ekzistojnë edhe te partitë tjera, megjithatë jemi të mendimit se duhet të jepet kohë që të bisedohet për të gjetur një zgjidhje”, thonë nga BDI. Nga ana tjetër, edhe partia më e madhe opozitare maqedonase – VMRO-DPMNE, ka qëndrime të ashpra kundër miratimit të Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi kështu siç është propozuar. Kështu, është deputeti Vllatko Gjorçev, njëherësh kryetar i Komisionit për çështje sociale, i cili përveçse hapur ka kundërshtuar nenet që definojnë martesën si instucion, ka theksuar se nuk do ta vë në rend dite këtë Ligj që, siç është shprehur ai, prek “shenjtërinë e martesës grua-burrë”.

“Problemi me propozim-ligjin e LSDM-së dhe Ripërtërirjes Demokratike (DOM) është se në ligj hiqet defenicioni i martesës midis burrit dhe gruas, që me automatizëm i jep mundësi martesave homesksuale dhe birësimit të fëmijëve. Për VMRO-DPMNE kontestuese është fshirja e normës ligjore ‘nënë dhe baba’”, thotë Gjorçevi nga VMRO. Lidhur me atë se Ligji mbanë siglën (flamurin) evropian, nga VMRO-DPMNE thonë se i njëjti është keqpërdorur nga LSDM dhe partia e Lile Popovskës, për arsye se, siç thonë ata, BE nuk obligon për një zgjidhje të tillë ligjore, pasi ka vende anëtare të ndryshme që në mënyra të ndryshme e kanë të rregulluar këtë çështje. Në ndërkohë, LSDM dhe partitë tjera të koalicionit qeveritarë akuzojnë deputetin Gjorçev se nuk e vë Ligjin në rend dite të Komisionit për çështje sociale, edhe pse i njëjti ka flamurin evropian.

“Vllatko Gjorçev e frenon Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi, nuk e vë në rend dite në Komisionin për çështje sociale. Në disa raste është kërkuar, por thotë se ligji është problematik dhe nuk mund të vendoset në rend dite”, ka deklaruar Maja Moraçanin, deputet nga Ripërtërirja Demokratike e Maqedonisë (DOM), partia e së cilës së bashku me LSDM-në e Zoran Zaevit janë propozues të ndryshimeve të ligjit.

Por cili është qëndrimi i opozitës shqiptare? Ata thonë se kategorikishtë janë kundër miratimit të Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi në këtë formë siç është. Shefik Duraku nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) thotë se partia e tyre është parti me orientim djathtistë, parti tradicionale shqiptare dhe nuk mund të mbështesin një Ligj përmes të cilit tentohet të legalizohen “martesat mes gjinisë së njëjtë”.

“Partia jonë është parti me orientim djathtistë, jemi parti tradicionale shqiptare dhe nuk mund të mbështesim një Ligj përmes të cilit tentohet të legalizohen martesat mes gjinisë së njëjtë. Ligji ende nuk ka arrit në rend dite për t’u diskutuar dhe nuk është hapur debati. Kur të hapet debati, ne do të japim kontributin tonë në përmirësimin e Ligjit, por sigurisht se nuk mbështesim martesat brenda të njëjtës gjini. Ende nuk i kemi detajet tjera që i përmban Ligji në fjalë, por ajo që e dimë sigurt se në këtë propozim-ligj tentohet të legalizohen martesat mes gjinive të njëjta… Aleanca për Shqiptarët është kategorikisht kundër kësaj”, deklaroi për KOHA, Shefik Duraku nga ASH.

Edhe nga Lëvizja BESA shprehen kundër miratimit të Ligjit me normat dhe aktet të cilat lejojnë martesën e të njëjtës gjini. “Ne kemi pozicion shumë të qartë rreth kësaj çështje. Në asnjë moment nuk do pajtohemi me një çështje të tillë. Jemi parti e cila thirret në vlerat familjare dhe tradicionale të shqiptarëve dhe në asnjë pikë nuk do lejojmë që me votën tonë në Parlament të kalojë Ligj, i cili është në kundërshtim me këto parime tradicionale të familjes shqiptare”, thotë për KOHA, Arijanit Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA. Nga Komiteti i Helsinkit thonë se refuzimi i Ligjit është “skandal” dhe se Qeveria duhet të bëjë orvatje që të hiqet pengesat e miratimit të tij. Në të kundërtën, thonë, “vihet në pikëpyetje ekzistimi, ndjenja dhe liria, e të gjithë atyre që ndjehen ndryshe”.

Juristi Qenan Aliu thotë se Ligji për parandalimin dhe mbrojtje nga diskriminimi nuk është Ligj që trajton ekskluzivisht vetëm bashkësinë LGBT, por ligj që trajton në mënyrë të përgjithshme parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi për të drejtat të garantuara me Kushtetutë dhe dokumentet ndërkombëtare. “Janë disa raporte dekadën e fundit që Maqedonia është e notuar nga trupat e BE-së (komisionet e ndryshme) që në legjislativen e saj të inkorporojë orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Ky inkorporim ka të bëjë në Ligjin e theksuar. Megjithatë, edhe gjatë dekadës së kaluar, kjo çështje nuk ka gjetur pajtueshmëri të partive politike pjesëmarrëse në Parlament. Ndryshimi dhe plotësimi i këtij Ligji është i proceduar nga viti i kaluar, por aktorët politik në Parlament si duket nuk kanë mundur të hekurosin qëndrimet e tyre lidhur me këtë çështje akoma. Shikuar rrugëtimin e vendeve tjera gjatë integrimit për në BE, inkorporimin e të drejtës të bashkësisë së nënvizuar e kanë patur imperativ, e drejtë e cila është e sanksionuar dhe notuar edhe në akte të shumta të gjykatës ndërkombëtare për liri dhe të drejta të njeriut”, thekson Aliu.

Përndryshe, propozim ndryshimet e Ligjit që mbajnë siglën e flamurit evropian janë pjesë edhe e pakos së BE-së me të cilën do të vlerësohet përparimi i të drejtave të njeriut në Maqedoni. (koha.mk)

Marketing