Kundërshtari i Kosovës bëhet me trajner të ri

Kombëtarja bullgare e ka emëruar përzgjedhësin e ri. Bëhet fjalë për trajnerin Krasimir Balakov, dikur ish-futbollist i njohur bullgar. Kosova do të përballet me bullgarët më 10 qershor në kualifikimet e Evropianit 2020

Kombëtaren bullgare, kundërshtare e Kosovës në kualifikimet e Evropianit 2020, tash e tutje do ta udhëheqë trajneri Krasimir Balakov, dikur mesfushor i njohur bullgar.

Lajmin e ka bërë të ditur të martën Federata Bullgare e Futbollit (BFU)

Ish-futbollisti i Sporting Lisbonës dhe Stuttgartit ka qenë njëri prej lojtarëve kyç që ekipi bullgar shkoi deri në gjysmëfinale të Botërorit 1994.

Ai ka nënshkruar kontratë deri në nëntor të vitit 2021.

“AI është njëri prej futbollistëve më të mëdhenj të kohës tonë”, ka thënë presidenti i Federatës Bullgare të Futbollit, Borislav Mihaylov.

“Një njeri që beson në futbollin bullgar dhe në Kombëtaren bullgare”, ka shtuar në konferencë për shtyp ish-portieri i njohur bullgar.

Balakov, 53 vjeç do ta pasojë ish-bashkëlojtarin e tij Petar Hubchev, i cili befasisht u largua pas dy ndeshjeve të para të Bullgarisë, kundër Malit të Zi dhe Kosovës në Grupin A të Evropianit 2020.

“Të jem trajner i ekipit kombëtar është një privilegj dhe përgjegjësi e madhe për mua. E mora vendimin shumë shpejtë”, ka thënë Balakov.

Ai do ta ketë ndeshjen e parë në krye të Bullgarisë më 7 qershor kundër Republikës Çeke, ndërsa atë të dytë do ta zhvillojë me Kosovën më 10 qershor. /Gazeta Express/