Kur do të ikë koronavirusi? Ja çfarë na tregon historia për pandemitë

Sëmundjet infektive që u shfaqën miliona vjet më parë janë akoma me ne. E vetmja që është çrrënjosur me vaksinë është lija. Koronavirusi i ri ka të ngjarë të bëhet endemik.

Marketing

Kur do të përfundojë pandemia e koronavirusit dhe kur do t’i kthehemi normalitetit? Deri tani janë rreth 40 milionë të infektuar në botë nga Covid-19 dhe mbi një milion viktima. Është normale që të ndiheni të lodhur dhe të mërzitur, ndërsa ende përballeni me një periudhë pasigurie, fundi i së cilës duket se nuk është afër. Që nga fillimi i pandemisë, epidemiologët dhe ekspertët e shëndetit publik kanë përdorur modele matematikore për të parashikuar se çfarë do të ndodhë, duke sugjeruar masa të përshtatshme menaxhimi bazuar te parashikimet. Por modelet matematikore, veçanërisht kur ato kanë të bëjnë me sëmundje infektive, nuk janë topa kristali, madje edhe modelet më të sofistikuara vështirë se do të na tregojnë kur do të mbarojë pandemia ose sa njerëz do të vdesin. Ata që studiojnë historinë e sëmundjeve preferojnë të shikojnë prapa, sesa të bëjnë parashikime për të ardhmen. Duke analizuar se si përfunduan epidemitë e së kaluarës, mbase do të jeni në gjendje të mendoni se si do të përfundojë kjo.

Parashikimet e para

Gjatë ditëve të para të pandemisë, shumë njerëz shpresonin që koronavirusi thjesht do të zhdukej. Disa shkencëtarë spekuluan se ai do të zhdukej me vapën. Të tjerët mendonin se shpëtimi do të vinte nga imuniteti i tufës. Asgjë nga këto nuk ka ndodhur. Virusi vazhdoi të qarkullojë edhe në kulmin e verës dhe imuniteti i tufës nuk po arrihet ende.

Sëmundjet endemike

Njerëzit po bëjnë përpjekje nga më të shumtat për të zbutur pandeminë dhe duket se në disa raste ka funksionuar. Distancimi shoqëror, mbajtja e një maske, larja e shpeshtë e duarve dhe gjurmimi i kontakteve janë shumë të dobishme, por ndoshta nuk janë të mjaftueshme për t’i dhënë fund pandemisë. Të gjithë po shikojnë zhvillimin e vaksinave, testet po vazhdojnë më shpejt se kurrë. Megjithatë, disa ekspertë argumentojnë se edhe me një vaksinë të sigurt dhe efektive apo një ilaç të suksesshëm, Covid-19 nuk mund të zhduket kurrë. Mund të ndodhë dhe ka ndodhur që epidemia të ngadalësohet në një pjesë të botës dhe të përshpejtohet në zona të tjera. Sipas historianëve Covid-19 nuk mund të zhduket kurrë, si HIV, virusi që shkakton SIDA-n, por sot, në sajë të ilaçeve, nuk është më një dënim me vdekje sepse me terapitë, infeksioni bëhet kronik pa evoluar drejt SIDA-s.

Lija është e vetmja sëmundje që u zhduk me vaksinë

Fatkeqësisht, me disa përjashtime, sëmundjet infektive vështirë se zhduken. Çdo patogjen, qoftë bakter, virus apo parazit, është akoma me ne edhe nëse është shfaqur mijëra vjet më parë. Është shumë e vështirë t’i eliminosh. E vetmja sëmundje që është çrrënjosur me vaksinim është lija. Fushatat e vaksinimit masiv të drejtuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitet 1960 dhe 1970 ishin të suksesshme dhe lija u shpall e zhdukur në 1980-ën. Tani për tani është sëmundja e parë njerëzore dhe e vetmja që është mundur plotësisht. Por historia e lisë është një përjashtim, fatkeqësisht, sëmundjet mbesin.

Sëmundjet infektive nuk u zhdukën kurrë

Malaria, e shkaktuar nga një protozoar dhe e transmetuar nga mushkonjat është pothuajse po aq e vjetër sa njerëzimi. Megjithëse përpjekjet me DDT (diklorodifeniltrikloroetan) dhe përdorimi i klorokinës kanë rezultuar disi të suksesshme, sëmundja është ende endemike në shumë shtete. Në 2018-ën, pati rreth 228 milionë raste me malarie dhe 405,000 vdekje në të gjithë botën. Sëmundje të tilla si tuberkulozi, lebra dhe fruthi na kanë shoqëruar për shumë mijëvjeçarë dhe pavarësisht ilaçeve dhe vaksinave, nuk është çrrënjosur. Edhe gripi spanjoll nuk është zhdukur kurrë plotësisht. Pas tri valësh (e dyta më vdekjeprurëse se e para) dhe të paktën 50 milionë viktima, sëmundja praktikisht është zhdukur. Ekspertët bien dakord që fundi i pandemisë erdhi në vitin 1920 kur shoqëria krijoi imunitet e tufës.

Vdekjet nga sëmundjet infektive

Kërkimet në sferën globale tregojnë se vdekshmëria vjetore nga sëmundjet infektive është gati një e treta e të gjitha vdekjeve në mbarë botën. Sot në një botë të tillë të globalizuar, ku udhëtimet ndërkontinentale janë norma dhe ndryshimet klimatike gjithnjë e më urgjente, ne jemi më të ekspozuar ndaj sëmundjeve infektive të reja që u shtohen sëmundjeve të vjetra, që ende qarkullojnë.

Rasti i murtajës

Edhe murtaja, që shumë mendojnë se është zhdukur, në të vërtetë është akoma mes nesh. Murtaja është ndër sëmundjet infektive më vdekjeprurëse në historinë njerëzore (60%). Ka pasur infektime të panumërta lokale dhe të paktën tre pandemi të dokumentuara të murtajës gjatë 5,000 vjetëve të fundit që kanë vrarë qindra-miliona njerëz. Më e njohura nga pandemitë ishte Vdekja e Zezë, në mes të shekullit të 14-të. Murtaja është rishfaqur për të paktën gjashtë shekuj me disa shpërthime, duke prekur edhe shoqëritë më të përparuara. Çdo shpërthim që herë zgjati me muaj dhe herë me vite, u qetësua gradualisht për shkak të ndryshimeve në vektorë, disponueshmërisë së marrësit dhe numrit të individëve të ndjeshëm. Ky bakter, Yersinia pestis, i mbartur nga brejtësit, është akoma mes nesh dhe çdo vit raportohet prezenca e këtyre specieve në zonat më të largëta të botës. Sot, falë terapisë me antibiotikë, murtaja është e shërueshme. Por gjithsesi murtaja nuk u largua kurrë.

E ardhmja e pasigurt

Çfarë do të ndodhë me Sars-CoV-2? Duhet të shpresojnë se nuk do të vazhdojë për mijëvjeçarë, por pa një vaksinë, largimi i tij nuk do të jetë i lehtë, për të mos thënë që s’do të ndodhë kurrë. Edhe kur vaksina të jetë gati, fushatat e vaksinimit do të jenë thelbësore. Thjesht shikoni që fruthi dhe poliomieliti përsëriten sa herë që përpjekjet e vaksinimit lëkunden pak.

“Parashikimi që disa shkencëtarë bënë në vitet ‘60 të shekullit të kaluar në lidhje me një botë në të cilën sëmundjet infektive do të mposhteshin dhe eliminoheshin përfundimisht falë progresit shkencor doli të ishte një utopi joreale.”- reflekton Paolo Bonanni, epidemiolog dhe profesor i Higjienës në Universitetin e Firences.

“Duhet të vetëdijesohemi për faktin se ne kemi një kuptim të dobët të mekanizmave që çojnë në shfaqjen e pandemive. Sokratisht, vetëm të qenit i vetëdijshëm, mund të na vendosë në pozicionin e përulësisë dhe përkushtimit për të njohur dhe hulumtuar për të luftuar me inteligjencën, shkencën dhe teknologjinë betejën e përjetshme kundër mikrobeve dhe viruseve, “grabitqarët” tanë të vërtetë.”- përfundon epidemiologu.