Kurti fton Thaçin në takim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën, përmes një letre, ka kërkuar takim me presidentin Hashim Thaçi, për të harmonizuar qëndrimet rreth politikës së jashtme, para konferencës së sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

Marketing

Në letër, Kurti i ka thënë Thaçit se “politika e jashtme është ajo që duhet të na bashkojë”.

” Le ta japim tërë kapacitetin tonë intelektual e patriotik në prezantimet e takimet qe do t’i bëjmë. Ju ftoj për sot ne orën 12:00, 16:00 ose 17:30 apo edhe ne mbrëmje qe te takohemi e te dakordohemi se bashku për temat e për qëndrimet tona”, thuhet mes tjerash në letër.

Por, në anën tjetër, Zyra e Presidentit, ka njoftuar se Thaçi ka udhëtuar sot për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Munihut.

“Në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Munihut, presidenti Thaçi do të ketë takime të ndryshme bilaterale, ndër të tjera edhe me senatorët amerikanë Ron Johnson dhe Chris Murphy, me Ndihmëssekretarin e Departamentit të Shtetit, Philip Reeker, pastaj me Drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, si dhe me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Presidentit.

Po ashtu, presidenti Thaçi në kuadër të kësaj konference, sipas këtij njoftimi, do ta takojë edhe të dërguarin e posaçëm të Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadorin Richard Grenell.

Kërkesa e Kurtit për takim me Thaçin, vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë intensifikuar thirrjet për vazhdimin e dialogut me Serbinë.