Kurti ironizon me ftesat e Thaçit: Takime sot për sot caktojnë gjimnazistët

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar sonte gazetarët në festën e fundvitit.

Marketing

Nga aty, ai ka folur për Klan Kosovën ku ka treguar arsyet se pse i ka refuzuar dy ftesat e presidentit Hashim Thaçi për takimin konsultativ për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.

Madje, ai ka ironizuar me ftesat e presidentit Thaçi duke thënë se vetëm gjimnazistët mund të caktojnë takime sot për sot.

“Takime sot për sot caktojnë gjimnazistët. Ne duhet t’i marrim seriozisht funksionet tona shtetërore. Në rastin më të mirë, paradoksalisht, takime sot për sot figurat shtetërore caktojnë kur ka ose luftëra ose fatkeqësi natyrore. Falë Zotit, ne nuk i kemi asnjërën prej këtyre – nuk kemi luftëra dhe fatkeqësi natyrore dhe as nuk jemi gjimnazistë”.

“Do të duhej që ftesat të dërgohen para takimeve së paku dy-tri ditë. Sjellja e këtillë ekstreme – prej vonesave të stërzgjatura te nxitimet absurde për takime sot për sot me dy ftesa të njëpasnjëshme – mendoj se janë njësoj gabim”.
Kurti ka ripërsëritur se ka qenë jashtë Prishtinës kur ka marrë vesh se e ka ftuar presidenti në takim, derisa ka shtuar se politikanët e rëndësishëm, si ai, nuk mund të bëjnë plane sot për sot pasi kanë agjendë të ngjeshur.
“Kur u caktua seanca konstituive e Kuvendit u la për ditën e fundit. Pra, u bë një vonesë shtesë e asaj vonesës së numërimeve dhe rinumërimeve”.

“Tash, prej vonesave po kalohet në nxitim – në dy ftesa për një ditë. Kam qenë jashtë Kosovës, në Aeroportin e Shkupit. E kisha të pamundur që të shkoj në takim me ç’rast u informova nga portalet, ndërkohë që ende nuk kishte arritur ftesa në selinë tonë qendrore”.

“Më pas, erdhi ftesa tjetër për mbrëmjen e sotme ku unë prapë nuk mund të shkoj. Ne, si figura shtetërore dhe politikanë të rëndësishëm, kemi agjende të ngjeshur dhe nuk i bëjmë planet sot për sot”.

Ai ka deklaruar se ditët në vijim do të takohet me Thaçin, duke shtuar se “në ndërkohë do t’i lexoj nenet e Kushtetutës që i ka përmendur presidenti”.

“Unë dua që të jem plotësisht i informuar drejt që të jem në dijeni të kontekstit, pasi për shkak të negociatave nuk kam mundur shumë të merrem me çështjet e tjera që janë jo më pak të rëndësishme”.