Kurti: NATO-n e kemi pritur me lule e përqafime, mos të bëjë shkëmbime të fshehta me popullin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar sot pas takimin me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Michele Risi ku ka folur për praninë e NATO-s në Kosovë.

Marketing

Kurti i ka thënë se prania e NATO-s në Kosovë është e pazëvendësueshme gjersa rajoni është ende jo-stabil.

Kryeministri Kurti ka thënë se: “NATO nuk ka nevojë për shkëmbime të fshehta me popullin e Kosovës sepse ne e kemi pritur me lule e me përqafime.”

Ai ka vazhduar të kritikojë presidentin e Kosovës Hashim Thaçi për zotimin çështjen e letërkëmbimit me NATO-n.

Ky është postimi i tij i plotë:

Para tre muajve isha në ndërrimin e komandës së KFOR-it ku Gjeneral Michele Risi mori komandën. Sot e mirëprita në Kryeministri. E kam thenë atëherë, e them tash dhe do të them përherë se prania e NATO-s në Kosovë është e pazëvendësueshme gjersa rajoni është ende jostabil dhe përderisa përballemi me një shtet që ka pretendime territoriale ndaj nesh.
NATO nuk ka nevojë për shkëmbime të fshehta me popullin e Kosovës sepse ne e kemi pritur me lule e me përqafime. Nuk është e rastësishme që nga zyrtari i NATO-s unë e mora letërkëmbimin dhe jo nga Presidenti ynë. Çështja është pse Presidenti e bëri atë zotim mu në ditën kur edhe nënshkroi ‘Zajednicën’ me Daçiqin në Bruksel? Pse nuk e njoftoi askënd, dhe a veproi Presidenti në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën?
Ajo që ne kemi bërë është publikimi i një letre e cila ishte mbajtur e fshehur nga publiku. Me sa kam parë, askush nuk na ka kritikuar se përse e kemi bërë transparente një letër të mbajtur fshehtë, e cila nuk ka qenë dokument i klasifikuar, por kritikuan opinionin ligjor nga zyra ime se pse ka rekomanduar shkarkimin e presidentit.
Ne jemi shoqëri e hapur që po ndërtojmë demokraci të qëndrueshme me punën e një qeverie progresive. Do të ketë dhe duhet të ketë debate e kritika e mospajtime çdoherë por duhet të ndërtojmë shtetin e së drejtës. Institucionet duhet të respektojnë e zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën.

Marketing