Kurti në krah të Brnabiç, me Ramën i ndanë kryeministri i Malit të Zi

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim zhvilloi një samit me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë samit, merrnin pjesë Kryeministri Edi Rama, Albin Kurti për Kosovën si dhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç. Ndërkohë, rastësi apo e menduar nga organizatorët e takimit, Albin Kurti dhe Ana Brnabiç janë ulur pranë njëri-tjetrit. Ndërkohë, që mes kryeministrit Edi Rama dhe Albin Kurti është ulur Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviç. Kjo është përballja e parë e Albin Kurtit me homologen e tij serbe që pas marrjes së detyrës së Kryeministrit të Kosovës.
Ndërkohë, gjatë fjalës së mbajtur në samitin e Berzh, Edi Rama shprehur falënderimin së pari për vendet e rajonit që morën pjesë në Konferencën e Donatorëve. Ndërsa më tej, Rama tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë që paqen ta shndërrojnë në begati për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Megjithatë, nisur nga kritikat e vazhdueshme nga politika kosovare për krijimin e “Mini-Shengenit”, Rama doli kundër Brnabiç për përdorimin e këtij termi. Sipas tij, nisma rajonale ka në themel katër liritë e Europës.

Marketing

Edi Rama: Deri në 2014 ne nuk ishim ulur kurrë të gjithë së bashku me përfaqësuesit e këtyre vendeve, pa armë, pa urrejtje, pa gjakderdhje, për të folur për të ardhmen e këtyre vendeve. Ta shndërrosh paqen në instrument begatie nuk është e lehtë për shkak të historisë. Ende ka probleme të mëdha që duhen zgjidhur. Ne po punojmë së bashku, po ecim përpara së bashku. Duam një të ardhme krejt ndryshe nga ajo që trashëguam brez pas brezi. Kjo është arsyeja pse besoj fort, dhe më duhet të mos bie dakord me Anën, sepse nuk e di kush e shpiku këtë mini-shengun. Është rajonale, është një hapësirë e përbashkët rajonale. Bëhet fjalë për katër liritë e europës: liri e lëvizjes së njerëzve, kapitaleve, mallrave dhe shërbimeve.

Më tej, Edi Rama foli dhe për investime konkrete që presin të marrin mbështetjen e BERZH. Ai u shpreh se Shqipëria ka disa projekte madhore, siç është ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës apo impianti me panelet foto-voltaike.

Edi Rama: Berzh në asnjë mënyrë nuk do të financonte një projekt ku pritet 1 mijë vjet. Ne duhet të tejkalojmë këtë dëm të madh që është shkaktuar nga projekti. Kemi aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, kemi parqet voltaike, jemi mes pesë vendeve të Europës që jemi në përputhje me vizionin e Urusula von der Leyen. Duhet të vazhdojmë të punojmë, nuk dua të bezdis me emrat e rrugëve, sepse ka vetëm një autostradë që duhet të ndërtojmë së bashku.

Marketing