Kurti: Pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur, nuk ka normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se do të punojnë pareshtur për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Marketing

“Ne do të reformojmë qasjen tonë jashtë vendit, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, kompromiset që janë kërkuar e që kanë qenë të dëmshme janë bërë me Pakon e Ahtisarit, si çmim i paguar për shpalljen e pavarësisë. Asnjë kompromis nuk mund ta bëjmë dhe nuk do ta bëjmë. Kjo duhet të thuhet qartë dhe zëshëm nga të gjithë ne në secilin takim dhe tavolinë”.

“Orientimi ynë është i qartë aleanca me SHBA-të dhe bashkëpunimi transatlantik do të thellohet. Do të punojmë pareshtur për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO. Ballkani Perëndimor duhet të demokratizohet përveçse të zhvillohet, që këto të dyja të shpejtohen do të insistojmë për një plan minimarshall nga BE-ja për Ballkanin Perëndimor”,

Ai ka theksuar se problemet me Serbinë do të zgjidhen vetëm përmes dialogut, ai ka thënë se prioritet në këtë dialog është zgjidhja e çështje së të pagjeturve.

“Asnjë progres nuk mund të bëhet në asnjë fushë nëse nuk ka progres në këtë fushë. Na duhet dialogu për kthimin e afro tre miliardë eurove të pensioneve të vjedhura nga Serbia, për kthimin e 400 milionë eurove të vjedhura nga keqpërdorimi i energjisë elektrike, për adresimin e dëmeve të luftës, për borxhet dhe suksesionet”.

“Dialog që adreson problemet ekzistuese dhe jo që adreson probleme të reja. Pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur dhe pa pranimin e të vërtetës nga ana e Serbisë, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve në mes dy popujve dhe mes dy shteteve”.

“Prioritet i imi është normalizimi i Kosovës, zhvillimi dhe demokratizimi i saj, drejtësia për të dhe tek ajo. Le të normalizohet edhe Serbia duke u ballafaquar me të kaluarën e saj dhe duke u demokratizuar. Serbia është mirë ta shpallë pavarësinë e saj nga Kosova, dhe të bashkëpunojmë për NATO dhe BE”.