Kurti: Sfida jonë mbetet “çlirimi nga korrupsioni dhe kapësit e shtetit”

Lëvizja opozitare Vetëvendosje e ish-kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, mbajti të premten një tubim publik, në qendër të Prishtinës, i cili përkoi me 21-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 15-vjetorin e themelimit të kësaj lëvizjeje.

Marketing

Tubimi nisi me himnin e Shqipërisë, ndërsa të tubuarit thërrisnin slogane si: “Hajnat në burg”, “Me hajna nuk ka shtet”, “Vetëvendosje” dhe “Duam zgjedhje”.

Nga tubimi po ashtu u dërguan mesazhe për rikthimin e Vetëvendosjes në pushtet, përmes zgjedhjeve të reja.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se sot festohet liria e fituar nga luftërat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me sakrificat e shumë brezave.

“Sot, ne kujtojmë genocidin, vrasjen e mbi 13,000 civilëve, zhdukjen e tyre, abuzimin e mijëra njerëzve, masakrat dhe dëbimet, shkatërrimin e pronës private dhe publike”, tha Kurti.

“Sot i jemi mirënjohës NATO-s dhe SHBA-së për ndihmën në kauzën tonë të drejtë për liri dhe vetëvendosje dhe për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për ndërtimin e një shoqërie demokratike”, shtoi ai.

“Dymbëdhjetë qershori është dita e çlirimit të Kosovës nga Serbia, por pas këtij çlirimi nga okupatori i jashtëm, pati filluar një sundim nga brenda – njëherë nga UNMIK-u, që nuk solli as zhvillim demokratik e as progres ekonomik, e pastaj përmes një kaste të politikanëve që, në emër të çlirimit, filluan zhvatjen e pasurisë publike dhe shkaktuan varfërimin e popullit”, tha Kurti.

Ai shtoi se “sfida jonë, 21 vjet pas çlirimit nga Serbia, mbetet çlirimi nga korrupsioni dhe kapësit e shtetit” – gjë që u takon qytetarëve ta vendosin përmes zgjedhjeve.

Kurti tha se puna e qeverisë së tij është ndërprerë, sepse “ata që e kapën shtetin nga të gjitha anët, u bashkuan kundër qeverisjes së mirë”.

Kurti tha se lëvizja e tij “do ta mbrojë Kosovën si në Kuvend, ashtu edhe në sheshe, nga marrëveshjet e dëmshme me Serbinë” dhe shtoi se vetëm zgjedhjet e reja mund të rikthejnë legjitimitetin e institucioneve.

Qeveria e Kurtit ka rënë më 25 mars, 52 ditë pas formimit.

Kuvendi i Kosovës ka votuar pro mocionit të mosbesimit ndaj saj, i cili është iniciuar nga partneri i koalicionit – Lidhja Demokratike e Kosovës – për shkak të mospajtimeve rreth masave që janë ndërmarrë për luftimin e pandemisë së koronavirusit dhe marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Kurti, pas kësaj, ka kërkuar zgjedhje të reja, por të gjitha partitë e tjera janë shprehur në favor të formimit të qeverisë së re.

Qeveria e re, me në krye Avdullah Hotin nga LDK-ja, është zgjedhur më 3 qershor.

Kurti e konsideron të paligjshme qeverinë e re, sepse, sipas tij, është zgjedhur në bazë të një vendimi anti-kushtetues të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur kushtetues dekretin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin ai ka emëruar Hotin si mandatar për formimin e qeverisë së re.

Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje konsiderojnë se pas votimit të mocionit të mosbesimit në Kuvendin e Kosovës duhet të mbahen zgjedhje të reja dhe se çdo formim qeverie pa fituesin e zgjedhjeve – në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje – është jokushtetues.

Marketing