Kurti tregon tri arsye kryesore pse NATO hyri në luftë para 20 vitesh

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar 20-vjetorin e fushatës së bombardimeve të NATO-s.
Në 20-vjetorin e shënimit të bombardimeve të NATO-s, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka listuar tri arsye kryesore pse sipas tij, NATO-ja hyri në luftë para dy dekadash, shkruan lajmi.net.

Marketing

Postimi i Kurtit pa ndërhyrje:

20 vjet u mbushën sot nga bombardimet e NATO-s mbi forcat serbe.

E treta e vërteta: perëndimi ndërhyri ushtarakisht kundër Jugosllavisë së Tretë e cila ishte bërë tërësisht e Milosheviqit.

Janë tri arsye kryesore pse NATO hyri në luftë para dy dekadash:

1. Sepse presidenti i Jugosllavisë , Slobodan Milosheviq, nuk pranoi ta nënshkruante dokumentin e Rambujesë (ndonëse ai ishte mjaft i favorshëm për Serbinë). Kjo ishte në kontrast me marrëveshjen e Daytonit e cila e kishte fuqizuar Milosheviqin brenda (si pushtet) e jashtë (si personalitet).

2. Që Kosova të mos bëhej Bosnje. Me Srebrenicën në mendje dhe Reçakun para syve, nuk mund të lejohej përsëritja e gjenocidit në Evropë duke qëndruar duarkryq aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit. Edhe kredibiliteti global i NATO-s dhe perëndimit ishin në pyetje.

3. Që Maqedonia të mos bëhej Kosovë. Vazhdimi i luftimeve midis UÇK-së dhe forcave serbe nuk do të mund të mbahej për shumë gjatë i lokalizuar në Kosovë. Shqiptarët ishin nën sulm mizor dhe përfshirja e Maqedonisë në luftë e bënte kalimin nga rreziku lokal në paparashikueshmëri rajonale (më së paku).

Dita e parë dhe e fundit e këtij intervenimi 78 ditor ishin më të mirat. Sepse u godit Serbia dhe sepse u dorëzua ajo.

Midis këtyre dy çasteve kemi mesatarisht nga 5 masakra në ditë kundër shqiptarëve anembanë Kosovës.

Në këtë pranverë populli i Kosovës do të përkujtojë mijëra 20 vjetorë, të dhembjes e pikëllimit për humbjet e vuajtjet, të krenarisë e shpresës për vendosmërinë dhe ardhmërinë