Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz, ka thënë se Austria mbështet çdo lloj marrëveshje që arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij një marrëveshje paqeje është baza për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”Sa i përket shkëmbimit të territorit, Austria pajtohet me secilën marrëveshje që arrijnë dy vendet”, tha Kurz pas takimit që pati me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Ai ka thënë se pa një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë perspektivë evropiane për asnjërin shtet.

“Një dialog i suksesshëm Kosovë-Serbi dhe arritja e një marrëveshje. Pa një marrëveshje paqe nuk mund të ketë perspektivë evropiane, nuk do të ketë bashkëjetesë të mirë dhe nuk do të ketë paqe në rajon”, tha kancelari austriak.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaci tha se Kosova e ka bërë të qartë vizionin në anëtarësimin edhe në BE dhe në NATO. Sipas tij në kontekst të integrimeve marrëdhëniet fqinjësore janë kusht kryesor.

“Kosova ka ndërtuar marrëdhënie të mira me fqinjët, po përpiqemi edhe me Serbinë.Serbia dhe Bosnja nuk e kanë njohur ende Kosovën. Kosova mbetet e përkushtuar për një marrëveshje me Serbinë. Jam i bindur se marrëveshja reciproke do të sjellë paqe dhe stabilitet për tërë Ballkanin Përendimor”, tha presidenti.

Sa i përket liberalizimit të vizave Thaçi ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Kosova ka implementuar në tërësi kriteret për liberalizim të vizave. Qytetarët e meritojnë, do të punojmë me shtetet anëtare. Besoj në mbështetje të Austrisë dhe besoj që shtetet anëtare do ta përkrahin. Dialogu duhet të vazhdojë. Pa një marrëveshje paqësore as Kosova dhe as Serbia nuk do të kenë të ardhme evropiane”, tha ai.