Kush do t’i zëvendësojë mjekët që mungojnë?

Shumë komuna në Maqedoni janë duke u përballur me mungesën e madhe të mjekëve, sidomos të specialistëve. Për ta përballuar këtë problem, Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se do ketë punësime të reja nga, ndërkohë që nga shoqatat e mjekëve, por edhe vetë mjekët, për gazetën “Koha”, thonë se është e vështirë të gjendet kuadër i mirë për faktin se kuadri mjekësor gjithnjë e më tepër po e braktis vendin. Si pasojë e këtij deficiti të stafit mjekësor vetëm vitin e kaluar 125 gra shtatzëna nga Dibra kanë lindur në Strugë. Po ashtu edhe në shumë qytete të pjesës lindore të Maqedonisë, kanë mungesë të gjinekologëve, kirurgëve, anestiologëve dhe mjekëve në përgjithësi të profileve të ndryshme.

Marketing

Nga Spitali Ushtarak në Shkup, thonë se pacientë të ndryshëm që nuk gjejnë shërbime në spitalet nga qytete e tyre, vijnë në këtë spital, ndonëse i mbingarkuar. Në fakt ky spital po bëhet njëfarë “punkti grumbullues” i pacientëve nga e gjithë Maqedonia, ku kryesisht bëhen ndërhyrje kirurgjikale në ato raste kur qendrat lokale spitalore heqin dorë prej trajtimeve të tilla.

ÇFARË CILËSIE KANË MJEKËT QË MBETEN?

Sa i përket parandalimit të ikjes së mjekëve dhe infermierëve, kohët e fundit janë dhënë disa ide dhe propozime. Oda e Mjekëve ka dërguar një propozim në Ministrinë e Shëndetësisë për mënyrën se si personeli mjekësor mund të mbahet këtu.

Dr. Albert Lleshi, anëtar i bordit ekzekutiv të kësaj ode thotë se për të parandaluar ikjen e mjekëve, Ministria e Shëndetësisë duhet menjëherë të ofrojë punë për specializantët në vendin e tyre të banimit.

“Kemi tre fakultete mjekësore dhe personalisht mendoj se ekziston një mbiprodhim i kuadrit. Problemi nuk është vetëm që mjekët largohen, por edhe cilësia e atyre që mbeten është problem më vete. Me që të gjithë jemi pacientë potencialë, natyrshëm e bëjmë pyetjen, kush do të na shëron? Unë mendoj se decentralizimi në kujdesin shëndetësor duhet të bëhet. Për ta bërë këtë duhet të ndodhë, së pari duhet të punësohen mjekët e rinj, si fillim shteti t’i stimulojë ato. Ndoshta të gjithë do të dëshironin të qëndronin aty ku jeton edhe familja e tij, ku ai ka një apartament dhe një kosto më të ulët të jetesës, por duhet t’u jepet kuadrit mjekësor një sfidë profesionale”, thotë doktor Lleshi.

Sipas të dhënave zyrtare të Dhomës së Mjekëve, vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, shtetin e kanë braktisur 110 mjekë. Gjatë shtatë viteve të fundit, duke përfshirë edhe tremujorin e parë të këtij viti, vendin e braktisën 1,207 mjekë. Vetëm në gjysmë vjetorin e këtij viti në kujdesin shëndetësor ka 1, 200 të punësuar dhe sipas përfaqësuesve të institucioneve është e nevojshme edhe më shumë të rritet numri i stafit mjekësor. Përveç urologëve, mungojnë edhe : Pediatër, gjinekologë, ortopedë, kardiologë, etj. Ajo që bie në sy është edhe fakti që edhe pse shpallen vende të lira pune, ato sërish nuk plotësohen, siç ndodhi në Spitalin Klinik në Manastir, ku vendet e zbrazura nuk u plotësuan edhe pas shpalljes së konkursit.

RAJONALIZIMI I SISTEMIT SHËNDETËSOR

Problemet në shëndetësi do të trajtohen me rajonalizimin e sistemit shëndetësor në territorin e vendit.

“Në qoftë se ka mungesë të personelit në një spital të caktuar, ai do të mbushet nga mjekët të cilët do të vijnë nga një spital tjetër. Në këtë mënyrë stimulojmë dhe shtojmë vendin e punës për mjekët, duke rritur kështu edhe më tej të ardhurat e tyre. Por ne nuk mund të kemi qendra që kanë të gjitha shërbimet në çdo qytet. Është e pamundur as nuk është praktikë evropiane. Kështu kemi në plan për të plotësuar këtë boshllëk”, thotë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Shoqata e specialistëve dhe mjekëve të rinj nuk shpreson se do të zgjidhen problemet në shëndetësi, për afat të shkurtër. Zgjidhja e vetme, sipas kësaj Shoqate, mbetet krijimi i qendrave rajonale që do të marrin rolin e një zone tampon në mes periferisë së Maqedonisë dhe shëndetësisë terciare ose Qendrës Klinike. Ndërkohë me daljen e mjekëve në pension do të rritet nevoja e përtëritjes së stafit mjekësor. Sipas përllogaritjeve parashikohet që deri në vitin 2023 gati 60 për qind e specialistëve do të dalin në pension.KOHA.MK

Marketing