Juristja nga Gostivari, Ditmire Shehu është zgjedhur Nënkryetare e Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Maqedonisë, përcjell RadioVala.com.

Ditmire Shehu ka një përvojë të madhe në punën institucionale, gjithashtu edhe në organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Gostivar.

Menjëherë pas fillimit të implementimit të procesit të Decentralizimit në Maqedoni, Ditmire Shehu bëhet nga kuadrot e para femra shqiptare që angazhohet në kabinetin e kryetarit të atëhershëm të Gostivarit, z. Nevzat Bejtës.

Në mandatin e dytë të Bejtës, Ditmire Shehut i besohet posti i Sekretarit të Komunës së Gostivarit, që njëherit ishte edhe Sekretarja e parë shqiptare në këtë komunë.

Organizimin në nivel lokal, Ditmire Shehu e njeh në thelb, pasi që ajo ka qenë edhe Sekretare e Komisionit komunal Zgjedhor në Gostivar, e zgjedhur nga ana e administratës shtetërore.

Në pozitën e Nënkryetares së Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Maqedonisë, Ditmire Shehu vjen si kuadër e propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.