Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, por jo vetëm të kësaj periudhe, të cilat u stigmatizuan dhe nuk gjetën përkrahje për 20 vjet me radhë, duhet trajtuar në mënyrë njerëzore dhe humane.

Ani pse nuk është e përcaktuar me norma fetare, viktimat e dhunës seksuale edhe në aspektin fetar parashihet të trajtohen në mënyrë ashtu siç duhet.

Profesori i studimeve islame, Dr. Xhabir Hamiti, ka folur në një intervistë për KosovaPress për shkuarjen e shtetasve kosovarë në vatrat e luftës në Siri, nëse është destabilizuar imazhi i fesë islame, kush po manipulon me elementin fetar, a duhet të ekspozohen fytyrat e fëmijëve në rastin kur ndihmohen nga shoqatat bamirëse.

Ai po ashtu flet edhe për ligjërimin e hoxhallarëve dhe tregon se a duhet të kontrollohen këta të fundit.

Hamiti thotë se e gjithë bota e di që Kosova ka bashkëjetuar gjithmonë mes komuniteteve të ndryshme fetare dhe ndërshqiptare. Megjithatë, sipas tij, së fundmi ka pasur tendenca që feja të keqpërdoret nga aleatët e armiqve të shqiptarëve dhe të manipulohet me të, për të dobësuar trungun shqiptar.

Profesori i studimeve islame thotë se me bashkimin e shqiptarëve në luftërat në Siri, ka qenë një tendencë e manipulimit me elemente fetare në mesin tonë.

“(Pyetja), Kush po manipulon? …Sigurisht, agjendat e jashtme, sepse terrorizmi si fenomen gjithmonë është i lidhur me politikën dhe…. Kështu që, ne besojmë fuqishëm se tendencat e jashtme kanë qenë dhe nuk janë ndalur dhe nuk do të ndalen në keqpërdorimin e elementit fetar për të quar ujë në mullirin e huaj. Dhe kjo vazhduar dhe vazhdon, por nuk do ta kisha quajtur tendencë të destabilizimit, por tendencë të armiqve të Kosovës, për ta paraqitur Kosovën si një vend i cili po prodhon njerëz terroristë, apo fundamentalistë…E kanë prishur jashtëzakonisht imazhin karshi botës perëndimore, karshi vendeve të civilizuara, karshi vendeve liberale, megjithatë mendoj se shoqëria kosovare ka arritur të vetëdijesohet se ajo ka qenë një formë apo mënyrë e manipulimit për interesa të huaja”, tha ai.

Veç tjerash, sipas tij, vrasjet që thirren në emër të fesë dhe shkuarja në vatrat e luftës nuk ka të bëjë vetëm me shkaqet ekonomike, por për shkak të bindjeve të doktrinave.

Thotë se përgjegjësia për orientimin e një shoqërie mbi baza fetare bie mbi prijësit fetarë, pasi sipas tij, këta të fundit e orientojnë një shoqëri mirë apo jo. Të njëjtit gjatë ligjërimit, siç thotë ai, duhet të kenë parasysh vendin, rrethanat dhe nivelin kulturor të atij vendi.

“Është problem të kontrollohen njerëzit se çfarë të flasin, sepse liria e të folurit, liria e praktikimit të fesë është e garantuar . Por, ne duhet që të kemi kujdes si prijës fetar që të punojmë me gjithë ata të cilët ligjërojnë në faltore, në xhami. Dhe pasi që të kthehen nga studimet të ketë kurse intensive të vetëdijesimit të tyre për vendin ku jetojnë, për rrethanat në të cilat jetojnë, që të mos i lëmë ata të pa informuar dhe të pa trajnuar në këtë drejtim”, tha Hamiti.

Të gjitha komitetet fetare, përfshirë edhe Bashkësinë Islame të Kosovës(BIK), Hamiti thotë se në Kosovë nuk janë të rregulluara juridikisht. Përfshirë kishën ortodokse serbe, profesori i studimeve islame vlerëson se është e lidhur ngushtë me politikën ditore të Qeverisë serbe. Problem i madh sipas tij vazhdon të jetë edhe BIK-u. Puna në këtë institucion, siç thotë ai, po vazhdon me statusin e vjetër, pa një ri-rregullim në kuadër të rrethanave të reja. Thotë se nuk është normale që një komitet i tillë fetar të mos ketë një zyre ndërlidhëse me institucionet e vendit.

Dy fjalë ka edhe për deklarimin e financave të BIK-ut.

“Deklarimi i të hyrave të financave , udhëheqësia fetare duhet të ketë së pari para Zotit. Pra, nëse ka keqpërdorime ata prapë përgjigjen tek Zoti, duhet të përgjigjet tek Zoti, por normalisht edhe para shoqërisë, që ja ka besuar dikujt një udhëheqësi të tillë shpirtërore. Shoqëria, e cila është e afërt me atë komunitet ose që janë bashkëthemelues, e që janë shoqëria në përgjegjësi, sepse të gjithë qytetarët që i takojnë besimit mysliman janë pjesë e BIK-ut, dhe të gjithë kanë të drejtë të kërkojnë përgjegjësi. Nëse edhe një gjysmë euro ose një euro e japin në emër të BIK-ut kanë të drejtë të kërkojnë, nëse ata kanë dyshime”, deklaroi Hamiti.

Xhabir Hamiti gjatë intervistës 45/45 , mes tjerash, thotë se çdo organizim shoqëror apo ekonomik, i cili nuk pëson ndryshime, nuk mbijeton gjatë. E, problemin më të madh brenda këtij komiteti, ai e sheh mos-gatishmërinë e ballafaqimit me sfidat bashkëkohore të keqinterpretimit të fesë, teksa vlerëson se brenda BIK-ut problem është edhe udhëheqja e konsumuar.

“Nga gjithë ajo që e kam përcjellë në këto vite, sa kam qenë dhe sa jam aty mendoj se ky grup, i cili ka prirë institucionin tonë mbi 20 vjet tani më është konsumuar. Duhet reforma në ri-organizim për t’u ballafaquar me sfidat bashkëkohore, për t’u ballafaquar me nevojat e shoqërisë dhe me nevojat e besimit, po ashtu edhe të shoqërisë në përgjithësi. Pra, është konsumuar kjo udhëheqje, e cila ka qenë kaq gjatë në krye të këtij institucioni dhe është problem me këtë mentalitet me pas ndonjë ndryshim shumë të shpejt”, thotë ai.

Pas luftës në vend Hamiti thekson se kanë ardhur në pah klanet e jo vlerat, për çka thotë se këtë e dëshmon edhe gjendja në të cilën ndodhet tani Kosova.

Sa i përket arsimit, profesori i studimeve islame thekson faktin se në Kosovë po prodhohen kuadro gjysmë analfabete, derisa ndërtimi i Xhamisë së madhe, Hamiti thotë se po vazhdon të përdoret nga partitë politike për poenë politikë, por edhe nga vetë udhëheqësit e sotëm të BIK-ut.

Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, por jo të vetëm asaj periudhe, profesor Hamiti thotë se duhet të trajtohet në mënyrë humane dhe njerëzore.

“Viktima duhet të trajtohet në mënyrë njerëzore, në mënyrë humane edhe në aspektin e ligjeve por edhe në aspektin fetar. Viktima, e cila bie viktimë asnjëherë nuk është zgjedhje e saj apo tij e lirë. Pra, sidomos në rrethana të luftës, kur njerëzit janë marrë rob, ku me njerëz është manipuluar në forma dhe mënyra të ndryshme. Nuk ka norma fetare për dhunimet seksuale, nuk ka norma fetare por njerëzore dhe humane dhe viktima është viktimë, pa marrë parasysh, në çfarë forme apo mënyre. Por, sidomos viktimës së luftës duhet të trajtohet në mënyrë më njerëzore më të mundshme”, shprehet ai.

Sa i përket shoqatave bamirëse në Kosovë thotë se shumë nga to pas luftës kanë ardhur me agjenda të ndryshme politike, e fetare. Sipas tij, shteti duhet të denoncojë ata që keqpërdorin interesin human.

Përveç tjerash, profesor Hamiti thotë se mësimet fetare të të gjitha besimeve thonë se t’i ndihmosh dikujt është e ngjashme ashtu sikur “jep me dorën e djathtë dhe nuk e di dora e majtë”, teksa shton se edhe në këtë fushë po abuzohet me fëmijët.

“Në momentin kur ajo publikohet nuk e ka atë devotshmërinë, nuk e ka nivelin, nuk e arrin qëllimin sublim shpirtëror. Dhe unë dua të besoj që ka abuzim edhe në këtë fushë, sidomos siç thatë edhe ju me fëmijët, nuk duhet dhe nuk lejohet të ekspozohen fëmijët, sepse ata nesër mund të kenë pengesa në jetën e tyre dhe shoqëri, dikush mund ta keqpërdor dhe t’i thotë ti ke qenë në këtë gjendje, ti nuk ke qenë në këtë gjendje. I jep pra hapësirë dikujt të manipulojë. Ndoshta, është edhe arsyeja që të japin… (Pyetja: Nëse e ka pra këtë qëllim a mund të falen këto gabime që po bëhen? Mendoj që po, nëse arrihet që përmes kësaj forme të ndihmohen familjet skajshmërisht të varfra, por nuk është zgjedhje afatgjate është zgjidhje e përkohshme e strehimit ose e ofrimit të një ndihme, e cila mund ta mbajë për një kohë të caktuar”, thotë mes tjerash Hamiti.

Që personat në nevojë të ndihmohen për në kohë më afatgjate , ai thotë se nevojitet angazhimi i përgjithshëm i shoqërisë për krijimin e kushteve më të mira të ekonomisë, që ata vetë të kenë mundësi të punojnë dhe t’ia sigurojnë vetës dhe familjes kushte më të mira. E kjo, sipas tij, mund të arrihet duke ofruar vende pune, e jo vetëm të ndihmohen për afate të caktuara.

Në prag të festave, ai u ka uruar të gjithë besimtarët dhe i ka lutur që të punojnë për të mirën e vendit.