Mulla Mahmud ef. Asllani, i cili lindi më 15 mars të vitit 1932 në fshatin Çiflik të Tetovës, njihet si një person i cili për çdo ditë që para namazit të sabahut deri pas akshamit ka qëndruar dhe ka mësuar nxënësit në xhami dhe nuk ka marrë asnjë ditë pushim, përveç nga dy ditë gjatë festave të Bajramit. Thuhet se këtë e ka bërë gati për gjysmë dekade, respektivisht që nga viti 1967.

Në vitin 2012, Organizata botërore për mësimin e Kur’anit përmendësh, me seli në Xhidde të Arabisë Saudite, e shpalli hoxhën nga Tetova si “mualim më të mirë në botë”.

Pas kthimit nga Arabia Saudite me çmimin e fituar, mulla Mahmud ef. Asllani konsiderohej si simbol i suksesit të Xhamisë së Larme në Tetovë, pasi thuhet se në duart e tij hifzin e kanë kryer afër 200 hafizë, ndërsa leximin e Kur’anit e kanë mësuar me mijëra nxënës.

Sipas të dhënave nga regjistri i hafizave të mulla Mahmudit, në vitin 1975 për herë të parë kryen hifzin tre hafiza të cilët llogariten si përvoja e parë e hoxhës së nderuar. Periudha më e shkurtë në kryerjen e hifzit nga një nxënës tek mulla Mahmudi është nëntë muaj dhe këtë rekord e mban hafiz Metin Izeti, sot Prof. Dr. dhe ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT).

Xhamia e Larme, ku vepronte mulla Mahmud ef. Asllani, është e njohur si vend turistik dhe e njëjta çdo ditë ka vizitorë të ndryshëm, shumica e të cilëve nga Turqia. Interesi tek vizitorët ishte edhe vizita tek hoxha dhe nxënësit e mektebit, ku nuk u largonin edhe pa dhurata.

Këto vizita ishin shkak që disa funksionarë turq, duke parë kushtet e hoxhës, të marrin iniciativë për ndërtimin e një godine afër xhamisë ku hoxha të ketë kushte më të mira për punë dhe për jetesë. Kjo gjë ndodhi në vitin 2011, ku në hapjen solemne të objektit ishte i pranishëm edhe vetë kryeministri i atërhershëm dhe presidenti aktual i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Artikulli paraprakDanimarka kualifikohet tutje dhe e eliminon Rusinë nga “Euro 2020”
Artikulli tjetërBlerim Bexheti, kandidat BDI-së për Kryetar të Komunës Sarajit