Kushtëzime joevropiane nga Sofja për fillimin e negociatave me BE-në

Maqedonia e Veriut ende është në pritje të konfirmimit të qartë nga Bullgaria për mbështetje për fillimin e negociatave me BE-në, gjegjësisht mbajtje të Konferencës ndërqeveritare gjatë kryesimit gjerman deri në fund të vitit, pasi Sofja porositi se para hapjes së negociatave aderuese duhet të tejkalohen mosmarrëveshjet për çështjet historike.

Marketing

Kryeministri Zoran Zaev dje deklaroi se bisedimet mes ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe kryeministrit të bullgarisë Bojko Borisov ishin të mira, por bisedimet mes ministres Ekaterina Zaharieva dhe ministrit Bujar Osmani nuk ishin aq të mira. Ajo që është propozuar nga ajo anë nuk është as fqinjësi e mirë, as vëllazërore, e as më pak evropiane.

“Dhe nëse kjo mbetet ashtu duhet ta përgatisim popullin tonë të Maqedonisë së Veriut se mund të mos fillojë konferenca e parë ndërqeveritare të cilën e presim në muajin dhjetor. Unë besoj se ky nuk është qëndrimi i kryeministrit Borisov, mikut dhe vëllait tim, besoj se ky nuk është qëndrim as i popullit bullgar. Ne do të bëjmë gjithçka në këto ditë të ardhshme të gjejmë zgjidhje. E pranuam historinë e përbashkët dhe historinë e përgjithshme siç e thirrin në Bullgarinë fqinje si diçka që është pjesë përbërëse e të kaluarës tonë. Kemi histori tonën të veçantë edhe populli i Maqedonisë së Veriut edhe populli bullgar ose Republika e Bullgarisë”, ka thënë dje në pyetje të gazetarëve Zaev pas inaugurimit të largpërçuesit Neokazi-Probishtip.

Ai shfaqi bindje se së bashku me kryeministri Borisov do të gjejnë zgjidhje për problemet që vendi të vazhdojë përmes rrugës evropiane.

“Jam i bindur se edhe kryetarët e dy vendeve, presidenti Radev dhe presidenti Pendarovski do të japin mbështetje të këtij procesi që të tregojmë se mund së bashku dy vendet në bazë të miqësisë, në bazë të lidhjes vëllazërore mes dy popujve do të tregojmë vlera evropiane të mbështetjes reciproke. Prandaj disa herë kam theksuar se kryeministri Borisov ka bërë shumë për Bullgarinë, por bën shumë edhe për Ballkanin Perëndimor dhe europeizimin e Ballkanit Perëndimor. Ai arriti ta kthejë tërë fokusin e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj ardhmërisë së Ballkanit Perëndimor në BE. E organizoi Samitin për Ballkanin Perëndimor dhe i kushtoi vëmendje të madhe. Ishte këtu në mbështetjet e të gjitha çështjeve të hapura në rajon, mes tjerash në mbështetje dhe inkurajim për ta arritur edhe Marrëveshjen e Prespës. Kemi hapur bashkëpunim të madh mes dy vendeve dhe besoj se kjo ashtu do të vazhdojë”, ka thënë kryeministri Zoran Zaev.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Nikolla Dimitrov, megjithatë deklaroi se nëse BE-ja lejon që gjuha maqedonase të jetë pengesë në rrugën e eurointegrimit tonë, atëherë nuk do ta meritojë mbiemrin në emrin e tij “evropian” dhe nuk tha se është në dijeni se do të mund të besojmë në një Bashkim të tillë Evropian.

“Duhet mençuri dhe respekt, nuk ka miqësi pa repsekt të ndërsjellë. Të gjithë që dëshirojnë që popullin maqedonas ta kenë të afërt dhe mik, duhet të na pranojnë si jemi dhe çfarë gjuhe flasim. Pa respekt elementar, nuk mund të zhvilohet afërsia ose miqësia. Askush tjetër në botë, asnjë shtet tjetër fqinj ose më i largët, nuk ka të drejtë të përzihet në të drejtën tonë për vetpërcaktim”, deklaroi Dimitrov, i cili e ka udhëhequr delegacionin qeveritar, që vendosi lule në Tumën e të pamposhturve në Prilep.

Çështjet, thotë, do të zgjidhen në linjën e parimeve evropiane dhe shtoi se në epokën e shekullit të 21, e drejta e vetëvendosjes së të gjithë popujve, duke e përfshirë edhe popullin maqedonas, është jokontestuese.