KUSHTI I BDI-së: Bezhovska në Financa, Besimi guvernator!

Kryeministri Zoran Zaev mund të emërojë ministër të ri të Financave vetëm Anita Angelovska Bezhovska, guvernatoren e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, ndërsa në vend të saj të emërohet ish-ministri i Ekonomisë, Fatmir Besimi. Ky është kushti që Bashkimi Demokratik për Integrim i ka bërë LSDM-së së Zaevit, pas vendimit të Antikorrupsionit se kryeministri nuk mund ta ushtrojë plotësisht detyrën edhe të ministrit të Financave.

Marketing

Në BDI për gazetën KOHA thonë se presin që LSDM ta respektojë marrëveshjen e para dy viteve për emërimin e Besimit në krye të Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, pasi kjo ka qenë edhe njëra nga pikat e marrëveshjes për koalicionin qeveritar. “Me rëndësi është që ne nuk kemi heq dorë që, një kuadër shqiptar, kuptohet profesionist, të udhëheq me Bankën Popullore të Maqedonisë së Veriut. Kjo ka qenë edhe njëra nga pikat kur u ndanë resorët bashkë me LSDM kur u formua koalicioni qeverisës”, thonë për KOHA në BDI. Gazeta KOHA merr vesh se në LSDM janë ndalë tentimet për emërimin e një ministri të saj të ri në krye në Financave, pasi BDI i ka përkujtuar kryeministrin postin e guvernatorit.

Tani, pas vendimit të Antikorrupsionit se Zaevi nuk mund të jetë edhe ministër i Financave dhe kur nënshkrimi dhe vula e Ministrisë është në dorë të zëvendësministres Shirete Elezi, kryeministri ka menduar për emër të ri me qëllim që arka e shtetit të jetë në duar të LSDM-së. Anita Angelovska Bezhovska ishte emëruar guvernatore e mbështetur edhe nga VMRO-DPMNE, pas paralajmërimit të presidentit të atëhershëm, Gjorgje Ivanov, se nuk do të mbështesë kandidaturën e Fatmir Besimit për guvernator të BPMV-së. Ndryshe, me formimin e Qeverisë, BDI nuk e kishte fshehur marrëveshjen për emërimin e Besimit në krye të BPMV, ndërsa kjo ishte pohuar edhe nga kryeministri Zoran Zaev.

Marketing